Kompanitë ajrore amerikane në vështirësi, shkak mungesa e pilotëve

Mungesa e pilotëve në Shtetet e Bashkuara po kufizon numrin e fluturimeve që linjat ajrore mund të kryejnë, duke shkaktuar vonesa dhe anulime gjatë periudhave kur kërkesat për të udhëtuar janë të mëdha. Disa kompani të mëdha ajrore po bashkëpunojnë aktualisht me shkollat e pilotëve ose kanë nisur programet e tyre të përgatitjes, për të krijuar një ekip më të larmishëm pilotësh.

Kompanitë ajrore janë ankuar për mungesa personeli në vitet e fundit. Gjatë pandemisë kjo u përkeqësua pasi pilotët u inkurajuan të dilnin në pension të parakohshëm sepse pandemia e koronavirusit shkaktoi një rënie dramatike të numrit të fluturimeve në vitin 2020.

Disa kompani ajrore amerikane kanë filluar programet e tyre të trajnimit ose po bashkëpunojnë me shkollat e aviacionit për të siguruar një brez më të larmishëm pilotësh. Më pak se 4 për qind e pilotëve aktualë të linjave ajrore janë me ngjyrë dhe më pak se 5 për qind janë gra.

Kostoja e shkollimit dhe plotësimit të orëve të detyrueshme të fluturimit është e lartë. Për sigurimin e 1,500 orëve të detyrueshme të fluturimit duhen deri 100 mijë dollarë. Pasi studentët të mbarojnë shkollën, ata duhet të gjejnë punë si instruktor fluturimi për të arritur numrin e mjaftueshëm të orëve të fluturimit për t’u punësuar nga një linjë ajrore rajonale.

Mungesa e pilotëve kontribuoi në një rritje prej 52 për qind të anulimit të fluturimeve në Shtetet e Bashkuara në vitin e kaluar krahasuar me vitin 2021, megjithëse nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi ka patur moti dhe trafiku ajror i mbingarkuar për këtë. Mungesa po u jep sindikatave të pilotëve më shumë fuqi në negociatat për kontratat e punës që u ndërprenë nga fillimi i pandemisë./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *