Kafe me hile/ Si e paguajnë dyfish çmimin e një filxhani shqiptarët. Vendet në Tiranë ku mashtrohet me cilësinë dhe si…

Shqiptarët pa dallim moshe apo gjinie e kanë pijen më të preferuar kafenë. Ky produkt, është nga më të konsumuarit në vend dhe mban rekordin e produkteve që tregtohen në bare. Por vitet e fundit bashkë me konsumin dhe çmimin e kafesë, janë rritur edhe maskarallëqet dhe abuzimet me të. Sot shqiptarët e marrin jo vetëm më shtrenjtë një filxhan kafe se sa disa vite më parë, por edhe me një cilësi shumë herë më të dobët. Por nga se vjen kjo…? “Priza.al” do të sjellë këto kohë një mori faktesh dhe dokumentesh që tregojnë për abuzimin me pijen më të dashur.

Rituali i kafesë

Në të gjithë vendin, pija më e zakonshme nga shqiptarët është kafeja. Konsumatorët që pinë kafen më të mirë, më të shtrenjtë, por edhe më të keqe në vend, janë në kryeqytet, pra në Tiranë. Në Tiranë, ku si zakon baret dhe lokalet janë plot me njerëz gjatë gjithë ditës, si dhe shprehja “hajde pimë një kafe” është e zakonshme, ka edhe shumë abuzim.

Mashtrimi nis te cilësia e kafesë dhe të reklama e saj. Jo të gjitha lokale në kryeqytet, pavarësisht se mbajnë një çmim të lartë për një filxhan kafe, kanë një produkt të mirë. Nuk janë të paktë lokale që kanë reklamën, filxhanët, apo serviset e kompanive të dëgjuara të kafesë, por që atë që u sjellin klientëve si produkt nuk e kanë aspak origjinal. Edhe pse shqiptarë rijnë gjatë gjithë ditës në kafe, për herë e më tepër dëgjon ankesat e tyre për cilësinë e saj. Ka shumë prej tyre që çuditërisht nuk ankohen për çmimin, se sa për cilësinë dhe shijen aspak të mirë që të lë në gojë pirja e një filxhani kafe.

Manipulimi me kafenë

Gati që të gjitha baret, restorantet, pub-et, apo dhe lokalet më të zakonshme, në Tiranë dhe jo vetëm, te kafeja kanë fitim maksimal. Por pikërisht aty bëhen edhe hilet më të mëdha me cilësinë. Edi, menaxher në një prej lokaleve më të njohura në kryeqytet, i deklaroi “Priza.al” se, “rreth 90-95% e lokaleve në kryeqytet blejnë të paktën dy deri në tre lloje kafeje dhe i përziejnë ato në mullirin e ekspresit”. “Nuk janë të pakta rastet kur pronarët ose menaxherët e bareve dhe restoranteve futin në mullin e kafesë gjysmën e një kafeje të mirë dhe pjesën tjetër të një kafeje më të lirë.

Kjo gjë automatikisht ndryshon cilësinë e kafesë për klientin që e pi, por shton fitimin për lokalin, pasi gjysma e çdo filxhani është 50% më e lirë”,- deklaroi Edi për “Priza.al”. Ndërsa Amarildo, kamerier në një bar të njohur në kryeqytet, i tha “Priza.al” se, “në shumicën e lokaleve të njohura ku kafja është e një marke të mirë, ajo përzihet gjysmë për gjysmë. Por në lokalet e periferive në një mulli ekspresi mund të kesh edhe tre deri në katër lloje kafeje të përzierë”. Kjo është arsyeja se përse janë të pakta lokalet në kryeqytet ku një filxhan kafe pavarësisht çmimit, ka një shije të mirë që të rregullon gojën, sidomos në mëngjes.

Vendet ku abuzohet me cilësinë e kafesë

Referuar, Tiranës, e cila është edhe qyteti ku baret dhe lokalet kanë dendësinë më të madhe, e po ashtu edhe konsumi i kafesë, po japim disa të dhëna.
Kështu, vendet ku me cilësinë e kafesë abuzohet më shumë janë kafenetë dhe baret pranë spitaleve, burgjeve, ose pranë institucioneve shtetërore ku njerëzit marrin shërbime të ndryshme. Kjo lidhet edhe me llojin e klientelës, e cila rend pas lokaleve dhe pijeve më të lira. Vendin e dytë e zënë qendrat tregtare, ku një filxhan kafe jo vetëm që kushton sa në ish-bllok apo edhe më shumë, por cilësia e saj është një neveri e vërtetë për ata që e njohin mirë shijen e kafesë.
Të tjera zona ku me cilësinë e kafesë abuzohet, janë lokalet pranë universiteteve dhe shkollave të mesme, apo në lagjet rreth e qark qendrës.

Çuditërisht në dy ekstremet në qendër të Tiranës, dhe në periferi, mund të gjesh një kafe shumë herë më të mirë. Në hotele luksoze me 4-5 yje, apo bare me emër në zonën e ish-bllokut, aty ku një filxhan kafe kushton sa një kg mish, mund të gjesh edhe një produkt cilësor, por çmimi dhe shishja e ujit që janë me pagesë ekstra, ta hidhërojnë në gojë pa e kuptuar kafenë e mirë.

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *