INVESTIGIM VI- Audio-përgjimi/ I riu nga Tirana i kërkon sqarim noteres Demollari se si ka përfunduar me kredi te ‘Fondit Besa’, pa dijeninë e tij?!

Skandalet mes “Fondin Besa” dhe “klientëve” të surprizuar nga makinacionet e papara që u janë bërë prej sekserëve, noterëve dhe punonjësve të fondit në bashkëpunim me ata të bankave private, nuk kanë fund.

Sot “Priza.al” do të vijojë të sjellë pjesën e dytë të ngjarjes së pazakontë që i ndodhi një të riu nga Tirana, i cili pa pritur dhe pa ditur asgjë e gjeti veten si “klient” i “Fondi Besa”, gjë që e mësoi rastësisht.

Bëhet fjalë për Nikolin Tregajn, që edhe pse punonte si kamerier në Tiranë, papritur u përfshi në vorbullën e matrapazllëqeve dhe mashtrimeve të punonjësve të “Fondit Besa”, duke u bartur me një kredi që as e ka përfituar dhe as e ka dashur.

I riu Tregaj që në fakt nuk është një klient por një viktimë e kurtheve financiare të “Fondit Besa” për të pastruar para por dhe për të mashtruar aksionerët e huaj, ka bërë me noteren e njohur Majlinda Dmollari një bisedë të gjatë në lidhje me problemin e tij.

Vetë noterja e cila rezulton nga të dhënat si e përfshirë në këtë lojë, kishte siguruar më herët në rrethana ende të paqarta dokumentet e të riut dhe e ka vënë në dijeni atë për kredinë që duhet të shlyente.

Biseda mes të riut dhe noteres Demollari, si dhe më herët edhe mes tij dhe një prej drejtorëve të mëdhenj të “Fondit Besa”, Bledar Ylli, nxjerr qartë në pah se si njerëz të painformuar dhe pa qenë në dijeni janë futur në një lojë që një grup njerëzish e kanë bërë dhe kanë ndarë fitime që shkojnë në miliona euro.

Telefonata nr. 1 me noteren Majlinda Demollari

Noterja: “…Si e ka emrin burri jot?

Ai burri jot është mi… Mondi, hë më thuaj, hë çfarë tha? Shumë bukur, mrekulli.. pa merak shumë mirë. Po sa të marrë në telefon. Por për ata miqtë në Sarandë, në rregull i kanë punët? Hë çfarë thanë? Ok, hajde, me letra s’kemi ç’a i bëjmë. Mirë Mondi. Pa merak, unë jam dakord të vijë…

Nikolini: Doja të pyesja për një kontratë që keni bërë ju, doja ta shihja. Të timen.. se kam kontratën.

Noterja: Më jep numrin. Të kujt e kini këtë kontratë?

Nikolini: Nga ‘Fondi BESA’

Noterja: Alo urdhëro, më prit aty tek kafja përballë se erdha.

Nikolini: Çfarë kontrate keni bërë ju zonjë, dhe unë nuk jam fare në dijeni. Këtë e konsumuam mbrëmë…

Noterja: Ju jeni kredimarrës?

Nikolini: E kam marrë pa dijeninë time.

Noterja: Po lekët në bankë, kush i ka tërhequr?

Nikolini: Ku ta di unë?

Noterja: S’ka gjë, do ta gjej unë.

Nikolini: E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua.

Noterja: Edhe ty do ta nxjerr nga arkiva, pa merak fare. Shkojmë tek banka, kush i ka tërhequr lekët…? Është Bledi ai që merret me “Fondin BESA”. Merre numrin.

Noterja: …O goca, Blendi apo Bledi. Si e ka…? Bledari. E keni ju këtë numër? Jepja numrin çunit, Bledar Ylli dhe këtë do ma lësh mua të nxjerr nga arkiva.

Arkiva nuk është këtu zotëri, është në një vend tjetër. Më lër mua të lëviz. Ka një rregull, arkiva më kërkojnë dokument, duhet 10 ditë. Unë po të them maksimumi 3 ditë do ta nxjerr nga arkiva.

Nikolini: Noterizimi pa qenë prezent personi?

Noterja: Atë do ta zgjidhim bashkë, ti mund të pretendosh. Unë mund të pretendoj ndryshe… Ligjërisht duhet të jesh këtu dhe personi bën kontratën, ka firmosur, ka shkuar në bankë, ka marrë mandatet. Ka marrë edhe lekët. I ka marrë të gjitha. Pa merak fare çuna. Për tre ditë do të jap kontratën në dorë. Shko tek Bledi, se ai është shefi i madh që merret me kredi, sepse kemi një kopje secili ne.

Telefonata nr. 2 (Përgjimi) me noteren Majlinda Demollari

Nikolini: Alo, si kalon?

Noterja: Mirë, faleminderit. Kush je?

Nikolini: Jam një nga çunat që tërhoqëm lekë atëherë.

Noterja: Si e ke emrin?

Nikolini:  A mund të takohemi diku, të llafosemi nga afër? Me emër s’më mban mënd.

Noterja: Ma thuaj, se edhe mund të mbaj mend.

Nikolini: Ku ndodhesh?

Noterja: Tani jam pak larg nga “Treni” me një rob. Ku je ti?

Nikolini: Jam tek ‘Pallati me Shigjeta’

Noterja: Qenke larg. Ma thuaj emrin…

Nikolini: Të nisem për në qendër. Të them kur të jem aty.

Noterja: A je Lorenci?

Nikolini:  Jo s’jam Lorenci. A mund të takohemi dhe të pimë kafe?

Nikolini:  A të nisem për në qendër, e të marr në telefon?

Noterja: Ku je o vlla?

Nikolini: Jam tek ‘Pallati me Shigjeta’. Të nisem për në qendër

Nikolini: Hajde tek lokali ‘Glouk’ kur ikën për nga ‘Treni’

Sipas të dhënave rezulton se si “klientë” por pa dijeninë dhe dëshirën e tyre, që kanë marrë kredi në “Fondin Besa” në të gjithë vendin, janë më shumë se 2500 persona.

Po aq rezulton që të jenë edhe individët apo subjektet private që nga të dhënat personale që u janë grabitur dhe tjetërsuar, u janë regjistruar prona të patundshme apo objekte të tjera me vlerë, të vendosura si kolateral (garanci sigurie), për kreditë që “Fondi” ka shpërndarë pa dijeninë e vetë individëve.

Ndërkohë, “Priza.al”, nisur nga ky skandal i përmasave të mëdha, u bënë thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë dhe prokurorisë, që të nisin menjëherë hetimet mbi këtë çështje.

Vijon… /Priza.al/

 Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *