‘Institucioneve shqiptare u mungon kurajo’/ A po kritikon ambasadorja Amerikane Kim, drejtuesit e SPAK?

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, thotë se organet e drejtësisë në Shqipëri, përfshirë dhe SPAK, kanë në dispozicion informacion mbi “listën e zezë” që i ndalon hyrjen në SHBA tre ish-zyrtarëve shqiptarë nën akuzën e korrupsionit.

Në një intervistë në emisionin “Përballë” në RTSH1-HD, diplomatja Kim, shton se “institucionet ligj-zbatuese nuk kanë kurajë të veprojnë me këto raste”.

“Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajë. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajë. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë.

Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot”,- tha ambasadorja Kim.

Në harkun kohor të një viti, DASH u ka ndaluar hyrjen në SHBA tre ish zyrtarëve shqiptarë me të njëjtin motiv, përfshirjen në akte korrupsioni të rëndësishëm.

Në vendimin e DASH, thuhej se: “Sekretari i Shtetit kur ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj kanë qenë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, atij individi dhe familjarëve të afërt të tij, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ambasadorja amerikane, Kim, komentoi edhe zërat kritike ndaj “Refomës në Drejtësi”. Kim pranoi se reforma duhet kritikuar dhe gjërat që nuk shkojnë, duhet të evidentohen, por duhet bërë kujdes.

“Për çdo reformë madhore, është me rëndësi të shqyrtohet seriozisht përparimi që ndodh dhe të bëhen korrigjime rrugës. Të këmbëngulësh se diçka është e përsosur dhe nuk mund të preket nuk është pozicion fort i mirë, nuk është i arsyeshëm.

Nuk them se Reforma nuk duhet kritikuar. Edhe unë mendoj për mënyra për ta përmirësuar. Por ka dallim që të shpresosh se njerëzit do të humbin shpresën tek drejtësia. Është çmenduri ta thuash. Dhe mendoj se njerëzit e kuptojnë. Nuk është puna ime të punoj fort. Jam e huaj në vendin tuaj”,-u shpreh ajo.

Ndërsa më pas u tërhoq nga përgjigja për të përmendur me emra se, cili duhet që të ishte subjekt i drejtësisë së re.

“Unë nuk jam prift që të gjykoj kush është i përlyer e kush i papërlyer, nuk jam polic që të vendos kush duhet të jetë në burg dhe kush jo. Jam vetëm një diplomate amerikane dhe jam këtu për të përfaqësuar interesat e vendit tim.

Nëse do të isha shtetase shqiptare nuk do ta pranoja që dikush me rekorde kriminale të paguhej nga taksat e mia në Kuvend. I kemi dhënë emrat tanë, shpresoj që të na dëgjoni”,- shtoi ajo.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *