‘Njerëz të tillë i bëjnë nder kombit!’/ Presidenti Meta vlerëson heroin Arjan Sala me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vlerësuar heroin Arjan Sala (pas vdekjes), me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Në një ceremoni të mbajtur në hollin e Presidencës, Meta vlerësoi Salën, i cili është shpallur edhe ‘Dëshmor i Atdheut’, pasi u vetësakrifikua mes flakëve për të shpëtuar kolegët e tij, pas zjarrit që ra në magazinën e qëndrës tregtare “Casa italia”.

Motivacioni i vlerësimit ishte: “Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.

Në fjalën e tij, Meta tha se, njerëz si Sala, i bëjnë nder kombit me sakrificat e tyre.

Pjesë nga fjala e Metës:

“Të dashur familjarë dhe miq të heroit tonë Arjan Sala, të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj. Kam detyrimin të organizoj sot këtë ceremoni solemne për t’i akorduar titullin e lartë ‘Dekorata e Artë e Shqiponjës’, Arjan Salës, njeriut tuaj më të dashur, që i tregoi mbarë Shqipërisë shembullin e shkëlqyer të përgjegjshmërisë dhe ndjenjës më të lartë qytetare e humane ndaj detyrës, ndaj kolegëve, por mbi të gjitha të dashurisë për njerëzit.

Ndajmë bashkë me ju familjarët e tij dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme, ashtu sikurse jemi krenarë për veprën e tij sublime.

Njëkohësisht jemi të bindur se përmes këtij akti, pavarësisht pasojave tragjike me humbjen e pazëvendësueshme për familjen e tij, Arjani na ka dhënë një shembull të gjithëve, se si duhet të sakrifikojmë dhe se si duhet të tregojmë dashurinë për njëri-tjetrin.

Vepra heroike e Arjanit imponon respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë shqiptarëve,  jo vetëm të atyre që ai u shpëtoi jetën. Në një kohë kur shoqëria jonë po vuan plagën e rëndë të braktisjes së vendit, sidomos nga të rinjtë, Arjani tregoi se ky vend ka njerëz të mëdhenj, të cilët kanë dhe familje të mrekullueshme, që i kanë edukuar fëmijët e tyre siç kanë edukuar prindërit Arjanin, me dashurinë e pafund për atdheun, për njerëzit dhe me ndjenjën e lartë të detyrës”.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *