I shpallur në kërkim kombëtar, arrestohet i riu në Korçë

Një 25-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi rezultonte i shpallur në kërkim.

Shtetasi me iniciale A.T., rezultonte nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, pasi ka plagosur me armë një person. I riu akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.

Sakaq janë arrestuar dhe shpallur në kërkim 5 shtetas të tjerë për të ndryshme penale.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. T., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 13.03.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndalimi i tij lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 02.03.2021, në lagjen nr. 7, Korçë, ku ky shtetas në bashkëpunim me 3 të tjerë, janë konfliktuar fizikisht me shtetasin I. Q., të cilin e kanë goditur me sende të forta dhe e kanë plagosur me armë zjarri tip pistoletë.

Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Ç., 44 vjeç, banues në Laç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”; “Goditjet për shkak të detyrës”; “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Shërbimet e policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 17, Korçë, pranë terminalit të autobusave, po ndodhte një konflikt, janë nisur drejt vendngjarjes ku kanë konstatuar shtetasin M .Ç., duke prishur qetësinë publike dhe duke u konfliktuar me qytetarët. Në momentin kur punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën, ky shtetas, i ka kundërshtuar me dhunë dhe i ka goditur, si edhe nuk i është bindur urdhrit të tyre, gjatë shoqërimit për në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. D., 20 vjeç, banues në Bilisht, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi në qytetin e Bilishtit u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen Sh. H., banuese në fshatin Buçimas, Pogradec për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vetëgjyqësia” dhe për shtetasin B. B., banues në Pogradec, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ditën e djeshme, në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit e mësipërm janë konfliktuar me njëri-tjetrin, me pretendimin se të dyja palët zotërojnë pronësinë e një objekti dhe të truallit  të tij. Konkretisht shtetasja Sh. H., ka kanosur rojen e këtij objekti dhe ka dëmtuar pjesërisht me vetëgjyqësi rrethimin e objektit, ndërsa shtetasi B. B., gjatë konfliktit dyshohet se e ka goditur me grusht shtetasen Sh. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë  Devoll referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. I., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi në fshatin Sinicë, Devoll, në banesë, u kap duke kryer punime pa leje.

 

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *