Humbi medaljen e nipit futbollist, gruaja alarmon policinë e Rinasit: Kur hipa në avion u kujtova

Ndonjëherë një harresë e vogël apo shpërqendrim mund të na kushtojë jo vetëm vlerat monetare, por edhe sende që kanë rëndësi për ne. Kjo i ka ndodhur një 32-vjecareje nga Shkodra, e cila harroi xhupin në një stol në Aeroportin e Rinasit, e bashkë me të humbi jo vetëm paratë por edhe një medalje futbolli.

Gruaja po udhëtonte nga Tirana me destinacion Francën dhe kishte marrë me vetë si shpenzime një shumë prej 540 eurosh. Bashkë me të edhe medaljen e nipit të saj futbollist alarmoi autoritetet fill sapo e kuptoi që e kishte harruar xhupin në stolat e tranzitit, por ato nuk u vunë në dijeni në kohën e duhur dhe veshjen e saj e mori një tjetër pasagjer që ndërkohë gjendej ne aeroport dhe po udhëtonte bashkë me fëmijën dhe të shoqin drejt Mbretërisë së Bashkuar. Megjithëse ata e gjetën xhupin e harruar brenda të cilit ishin vlerat monetare dhe medalja, se hetimet kanë nisur ndaj tyre për akuzën e vjedhjes.

Denoncuesja me inicialet V.B kujton se pasi kaloi kontrollet policore në brendësi të aeroportit, në dorë mbante xhupin. Më pas ajo u ul në stola derisa të dëgjonte thirrjen për t’u paraqitur në daljen përkatëse. Pikërisht aty ajo e harroi veshjen dhe brenda saj medaljen e nipit futbollist dhe eurot.

“Kur hipa në avion u kujtova për xhupin dhe u kërkova stjuardesave që të zbrisja, por ato nuk më lejuan mbasi ishin mbyllur dyert. Dikush në avion më tha se duhet të telefonoja në një numër të aeroportit për t’i vënë në dijeni dhe ashtu veprova, që xhupi të dërgohej te zyra e sendeve të humbura”, është shprehur gruaja.

Menjëherë pasi ka zbritur në Francë e reja nga qyteti i Shkodrës kujton se njoftoi të motrën në telefon, që ajo të vraponte drejt aeroportit dhe të tërhiqte xhupin, eurot dhe medaljen e futbollit. Familjarja e kallëzueses mbërriti tepër vonë. Autoritetet kontrolluan ngado por nuk gjetën asgjë.

“Kjo shtetase u pyet nëse dëshironte të kryente denoncim, por qytetarja në fjalë refuzoi duke shtuar se xhupi i kishte humbur së motrës”, deklaron Policia e Tiranës që e ka marrë shumë seriozisht hetimin.

Pas 15 ditësh shkodrania është kthyer nga Franca. Rezulton se veprimi i parë që ajo kreu sapo preku tokën shqiptare ishte udhëtimi drejt Komisariatit të Rinasit.
“E pyetur nga ana jonë se a dispononte fatura për eurot, historik për medaljen dhe faturë për xhupin, qytetarja u shpreh që nuk dispononte”, thotë policia. Por ajo ka treguar itinerarin, orën e largimit nga Tirana duke u dhënë detaje të nevojshme agjentëve për të kërkuar në sistemin e hyrje-daljeve në pikën kufitare.

Policia pas një këqyrjeje të gjatë të kamerave të sigurisë të instaluara në aeroport, gjetën saktësisht momentet kur gruaja kontrollohet, më pas ajo kalon në zonën tranzit dhe ulet në stol me një xhup në dorë. Pasi qëndron disa çaste aty, ajo drejtohet për nga dalja ku dhe shfaqet për herë të fundit.

Në stolin ku u harrua xhupi mbas saj ulet një çift me një fëmijë, për gati 30 minuta. Kur ata cohën, gruaja me flokët e shkurtër vëren xhupin, e nuhat dhe më pas e fut në çantë. Sipas policisë, bazuar në këtë përshkrim të kamerës, oficerët kanë ndjekur çastet përpara se ata të uleshin në stol, për të kuptuar se cilët ishin identitetet e tyre në momentet kur paraqiten tek posta e policisë.

“Çifti i identifikuar është nga Kamza dhe po udhëtojnë drejt Anglisë. Kështu që bazuar në këqyrjen e kamerave të sigurisë, gruaja me flokët e shkurtër me inicialet F.C është autore e vjedhjes, ndonëse ajo e gjeti dhe në fakt duhet të njoftonte autoritetet”, shprehen autoritetet policore të Rinasit. Policia nuk i jep sqarime nëse çifti jeton përkohësisht në Angli, apo janë turistë. Por një gjë është e sigurtë: Sapo të kthehen, ata i presin prangat për akuzën e vjedhjes./gazetasi

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *