Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar ditën e sotme një urdhër arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë si përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Ukrainë.
Sky News raporton se presidenti rus “dyshohet se është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e okupuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.
Gjykata lëshoi gjithashtu një urdhër arresti për Maria Alekseyevna Lvova-Belova, komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, për të njëjtat akuza.
Moska ka mohuar të ketë kryer krime lufte që kur pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar.