Gjermania mbështet embargon e naftës kundër Rusisë

Gjermania do të kërkojë që në paketën e gjashtë të sanksioneve të BE kundër Rusisë të vendoset edhe embargoja e naftës. Ndërkohë ka filluar evakuimi i civilëve nga kombinati Azov.

Gjermania kërkon që në paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë të vendoset edhe embargoja e naftës, është shprehur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Para disa javësh e dinim, se sanksionet e menjëhershme energjitike nuk mund të mbaheshin dot në fuqi më shumë se 1 muaj, por tani jemi përgatitur, pasi sanksionet kundër Rusisëmund të zgjasin edhe disa vite. Kështu është shprehur politikanja e Të Gjelbërve në një intervistë për televizionin e parë gjerman, ARD. Sanksionet mund të hiqen, vetëm kur Rusia të ketë tërhequr plotësisht trupat e saj nga Ukraina.

Sanksionet e reja kundër Rusisë mund të vendosen që të mërkurën e kësaj jave, thuhet nga qarqet diplomatike në Bruksel. Për të bindur ende vendet skeptike, parashikohet zbatimi me disa faza i sanksioneve. Kështu vendeve anëtare të BE do t’i jepen gjashtë deri në tetë muaj kohë për të diversifikuar burimet e tyre të naftës. Si vend bllokues kundër sanksioneve konsiderohet Hungaria. Kreu i qeverisë hungaraze me lidhje të afërta me Kremlinin, Viktor Orban bëri të ditur pas rizgjedhjes së tij në fillim të prillit, se do të vendosë veto kundër embargos energjitike. Rusia eksporton dy të tretat e naftës së saj në BE. Mbështetësit e embargos argumentojnë, se Kremlinit përmes një hapi të tillë do t’i hiqej një burim i rëndësishëm të ardhurash për financimin e luftës në Ukrainë./DW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *