Futbolli shqiptar në zi/ Ndahet nga jeta ish-portieri i kombëtares dhe Lokomotivës së Durrësit

Ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit (Teuta) dhe kombëtares shpresa, Vladimir Ajazi është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare. Ajazi vuante nga sëmundje që e detyroi të qëndronte në karrige me rrota. Për shumë vite ai mbrojti portën e Lokomotivës duke u shndërruar në një ikonë në qytetin e Durrësit, ndërsa në kohën kur kombëtarja drejtohet nga Hans Peter Brigel ai mbante postin e trajnerit të portierëve

Ai lindi në Kukës, por u stacionua për vite me radhë në Durrës.

Karrierën e tij sportive, Ajazi e nisi në vitin 1968, si pjesë e grupit të parë të Shkollës së Mjeshtërisë Sportive, duke ruajtur për disa vite portën e Shkëndijës së famshme të fillimviteve ’70. Më pas ai kaloi në qytetin e Durrësit, ku mbrojti për shumë vite portën e Lokomotivës, duke u kthyer në ikonë të këtij qyteti.

Lajmi për ndarjen nga jeta dhe larigimin e hidhur të një ikone si Vladimir Ajazi, ka krijuar një boshllëk dhe ka trishtuar mbarë mjedisin e futbollit shqiptar.

Për ndarjen nga jeta të Vladimir Ajazit ka shprehur ngushëllimet edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka:

“I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim dhe ish-futbollistit të njohur, Vladimir Ajazi. Ish-portieri i Lokomotivës së Durrësit dhe i ekipit kombëtar Shpresa në vitet ’70, ai ishte pjesë e brezi të artë të futbollit durrsak që ka hyrë në histori dhe ka mbetur në memorien kolektive të qytetit bregdetar.

Edhe pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Lad Ajazi vazhdoi të jepte kontributin e tij të vyer për futbollin dhe ka punuar si trajner i portierëve në Kombëtare.

Ladi do na mungojë të gjithëve, do i mungojë familjes së tij dhe ne, miqve të tij panumërt që e donim dhe e vlerësonim për karakterin dhe personalitetin e tij të spikatur. Një burrë serioz e i besës, fjalëpak e korrekt dhe një mik i mirë.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ajazi për këtë humbje. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për Durrësin dhe për futbollin shqiptar. U prehtë në paqe!”-shkruan Armand Duka.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *