FIER/ Socialistët kryesojnë në 6 bashkitë, në 1 bashki, ‘Bashkë Fitojmë’ të tretët

Në Bashkinë e Fierit kandidati socialist është me diferencë shumë të madhe me rivalët. Armando Subashi merr 70.51% të votave, ndërkohë që ka një tjetër rezultat shumë interesant. Kur janë numëruar 51 nga 224 qendra votimi rreth 30% e votave ndahen mes dy kandidatëve të së djathtës, me kandidatin e Berishës, Evdar Kodheli që merr 17.70% të votave dhe që lë mbrapa kandidaten e Alibeajt, Eriselda Çelaj me 11.79% të votave.

Në Lushnjë procesi i numërimit ka ecur mirë. Nga 156 kuti në total, deri më tani janë numëruar 94 dhe sipas rezultateve kandidatja e PS, Eriselda Sefa merr 61.30 % të votave. Ndërkohë kandidati i Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka 38.70 %.

Në Bashkinë Roskovec janë numëruar 26 nga 39 qendra votimi dhe gara është shumë e ngushtë. Kandidatja e Partisë Socialiste Majlinda Bufi kryeson lehtë me 52.36% përkundrejt 47.64% të votave të rivalit të saj të Bashkë Fitojmë Erdit Hazizaj.

Në Mallakastër, e cila mendohet se do të ishte një bashki me rivalitet, kur janë numëruar 14 nga 50 kuti kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson lehtësisht me 50.59% të votave përkundrejt 47.73% të rivalit kryesor Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Ndërkohë që kandidati i koalicionit Berisha-Meta Resmi Shanaj merr vetëm 6.68%.

Edhe në Bashkinë Divjakë kryeson PS. Kur janë numëruar 12 nga 67 kuti, Josif Gorra i PS kryeson me 60,56% të votave përballë Aurela Malkos të Bashkë Fitojmë me 39.44%.

Në Bashkinë Patos janë numëruar 25 nga 48 qendra votimi në total. Fation Duro i PS vijon i pacënuar drejt fitores me 68.81%, ndërkohë që Sofije Alushaj i ‘Bashkë Fitojmë’ është e dyta me vetëm 24.65%. Ndërsa kandidatja e PD Pranvera Rizaj vetëm 7%.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *