Faza e dytë e hartës së re gjyqësore/ Nga sot ‘shkrihen’ 9 gjykata

Faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore, ku nuk do të funksionojnë 9 Gjykata të Shkallës së Parë në rrethe dhe 9 prokurori hyn ditën e sotme në fuqi.

Gjykatat e shkallës së parë riorganizohen dhe nga 22 mbeten 13. Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec. Së bashku me to, pushojnë së ekzistuari edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore.

Pas kësaj faze, dosjet e gjykatës së Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjes në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.

Faza e parë u aplikua në muajin shkurt kur nga 6 apele që ishin në të gjithë vendin, u vendos reduktimi në një Apel kombëtar. Ndërsa faza e tretë do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti kur parashikohet reduktimi i të gjitha gjykata administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.

Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *