EMRAT/ Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, pezullohen dy punonjës të Policisë

Dy punonjës të policisë Vlorë janë pezulluar nga detyra, për shkak të përdhunimit të 26-vjeçares në Vlorë nga 4 persona. Ministri i Brendshëm Taulant Balla me anë të një njoftimi në Facebook, ka deklaruar se dy efektivët janë pezulluar dhe janë ndaluar që të dalin jashtë vendit.

Shkak për pezullimin e tyre është vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore. Efektivët e pezulluar janë nën/komisari Ervis Çipa dhe specialistja Ornela Hajrulla.

Postimi i Ballës:

Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse.

Për këtë qëllim Agjensia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria e Jursdiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë. Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit.

Prandaj e kam thënë dhe do ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *