Djali i Tom Doshit aksidentoi biznesmenin me gruan dhe u favorizua nga policia, pezullohet nga detyra Shefi i Qarkullimit në Lezhë!

James Doshi, një prej djemve të kreut të Partisë Social-Demokratike, Tom Doshi, ka aksidentuar një çift bashkëshortësh. Bëhet fjalë për pronarin e hotel “Gjuetia”, Viktor Jushi dhe bashkëshorten e tij, e cila ka marrë dëme të mëdha, por është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gajush të Lezhës, teksa djali i Doshit po udhëtonte në drejtim të Shkodrës. Por edhe pse ka qenë fajtor në aksidentin që ka shkaktuar, James Doshi është favorizuar nga autoritetet dhe Policia e ka lejuar të marrë mjetin e të largohet. Pas hetimeve, Prokuroria e Lezhës ka regjistruar një procedim penal për “shpërdorim detyre”. Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula është pezulluar nga detyra, ndërsa nën hetim është e gjitha struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Si ndodhi aksidenti

Djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, teksa po lëvizte me makinë, ka përplasur një automjet ku lëvizte pronari i “Hotel Gjuetia” dhe i fabrikës së mermerit “ARPEG Stone Art & Craft”, Viktor Jushi me bashkëshorten e tij. Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të marrë automjetin dhe të largohet. Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të efektivëve të Komisariatit të Policisë Rrugore, për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë aksident dhe cili nga eprorët i ka urdhëruar të mos bënin detyrën dhe të ngarkimin me përgjegjësi djalin e Tom Doshit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *