Dhunë në familje dhe kontrabandë mallrash, arrestohen 4 persona në Devoll

Katër persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë proceduar penalisht në Korçë, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se të arrestuarit akuzohet për vepra penale si “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Dhuna në familje”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Korçë

Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, të shtetasit M. B., 59 vjeç, banues në Bilisht, Devoll.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën në pronësi të këtij shtetasi, në Bilisht, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore dhe veshje të ndryshme me mbishkrime në gjuhën greke, pa dokumentacionin përkatës, të dyshuara kontrabandë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasi M. B., 18 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi u kap duke drejtuar automjetin tip “Benz”, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit A. L., 41 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, të shtetasit K. K., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 18, Korçë, u kap duke vjedhur materiale të ndryshme të riciklueshme, në godinën në pronësi të shtetasit K. H., 32 vjeç, banues në Korçë.

Po nga këto struktura filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. T., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi në afërsi të fshatit Barç, Korçë, ky shtetas, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, për shkak të detyrës, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec filluan procedimin penal për shtetasin J. Xh., 21 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec, për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në këtë fshat, ky shtetas ka goditur me grushte shtetasin F. Ç., 23 vjeç, banues në Hudënisht.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *