Debatet në Kuvend, Alibeaj kërkon shkarkimin e Lindita Nikollës: Mbylli seancën për të mbrojtur Ramën

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla pas seancës së sotme, duke thënë se i mohoi deputetëve të diskutonin për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.

Në njoftimin e PD, thuhet se Nikolla u detyrua nga kryeministri Edi Rama të mbyllë parlamentin, duke shtuar se ky ishte një veprim i paprecedentë në këto 32 vite demokraci.

Ndër të tjera, PD akuzon Nikollën se përdhosi parlamentarizmin duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

“Sot Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin. Veprimi i sotëm i Kryetarës së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

Ndërsa drejtësia amerikani asgjësoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës. Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla”, thuhet në njoftim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *