Çmimet e banesave po rriten tre herë më shpejt se mesatarja historike

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave në tremujorin e tretë 2022 rezulton me një rritje vjetore 17.6%, ndërkohë që rritja mesatare e historike e këtij treguesi (për periudhën nga tremujori i katërt 2002 deri në tremujorin e dytë 2022) rezulton në nivelin 5.7%.

Këto të dhëna tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të shfaqë nivele të larta të rritjes së çmimeve, me gjithë rritjen e inflacionit dhe shfaqjen e sinjaleve të para të ngadalësimit të kredisë bankare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për muajin nëntor të vitit 2022 kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme pësoi një rënie me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e normave të interesit po reflektohet në një frenim të huasë për blerje të pasurive të paluajtshme nga familjet shqiptare. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit rrit edhe pragun e nevojshëm të të ardhurave për t’u kualifikuar si huamarrës nga banka, duke ndikuar edhe në rënien e ofertës.

Në një mjedis me norma të rritura interesi, është logjike të mendohet se çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme do të pësojnë një frenim nga normat marramendëse të rritjes që janë regjistruar sidomos në dy vitet e fundit. Por, vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për treguesit e ndjesisë ekonomike tregoi se bizneset e sektorit të ndërtimit vazhdojnë të shfaqin pritshmëri për rritje të çmimeve./ Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *