Bruksel/ Xhaçka për takimin me Dendias: Çështja ‘Beleri’, gjyqësore

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka zbardhur takimin me homologun grek Nikos Dendias për arrestimin e Fredi Belerit. Sipas saj edhe pse kanë mendime të ndryshme për këtë çështje, Shqipëria është e vendosur që të vazhdojë bashkëpunimin miqësor.

Xhaçka deklaroi se i bëri të qartë Dendias, se nuk është një cështje politike, por e zbatimit të ligjit. Ajo theksoi se edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.

Xhaçka: “Pata kënaqësinë të takohem me kolegët e mi, ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.

Me kolegun Dendias pata një takim të mirë, I cili ishte një mundësi për të diskutuar nga afër çështjen. E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe i shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re.

Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote.

Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *