Bonusi i Ramës për pensionistët i paligjshëm? Përgjigjet Celibashi

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka deklaruar se ky institucion po vlerëson ankesat lidhur me bonusin e pensionistëve të premtuar nga kryeministri Edi Rama përpara zgjedhjeve të 14 majit.

Celibashi u shpreh se në dy ditët në vijim, pasi të ketë shqyrtuar ankesat, KQZ do të marrë edhe një vendim lidhur me këtë çështje.

Pjesë nga biseda:

Po bonusi i kryeministrit për pensionistët a është i paligjshëm?

Kjo është një çështje që ne po e vlerësojmë. Nesër besoj ose pasnesër do të kemi edhe vendimmarrjen përkatëse dhe do të vendosim.

Kryetari në detyrë i PD-së ka deklaruar se KQZ nuk na ka dhënë paratë për fushatën zgjedhore. Si qëndron e vërteta?

KQZ merr vendim për sasinë e parave që u shpërndahet partive politike nga buxheti i shtetit dhe kaq. Nuk di të them i kanë marrë apo nuk i kanë marrë këto para, por ne e kemi marrë vendimin. KQZ mund të bëjë një kërkesë nga pikpamja formale.

Mund të shmangej, apo mund të kishte një vendim që koalicioni Bashkë Fitojmë të kishte numërues në të gjithë Shqipërinë?

Në fakt e përcakton ligji se kush janë partitë politike që kanë të drejtë për numrin e numëruesve. KQZ dhe KAS ka vendosur se kush janë partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të grupeve të numërimit. Kjo është një lloj përgjegjësie që partitë duhet ta ushtrojnë. Një parti që ka numërues, nuk ka privilegje dhe avantazhe. Numëruesi është garant i procesit edhe për subjektet që nuk kanë numërues.

ISP ka nxjerrë që Elbasani, Durrësi dhe Shkodra janë bashki me rrezikshmëri të lartë në ditën e zgjedhjeve. A do të merrni masa shtesë?

Bashkëpunimi mes KQZ me institucionet e tjera ekziston dhe ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me drejtorinë e policisë së shtetit dhe me organin e prokurorisë. Gjithësecili ka vëmendjen e tij mbi ato aspekte ligjore./PanoramaTv

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *