BIRN për vendoret në Lushnjë: ‘Fushatë e qetë’ për kandidaten e PS, rivali pretendon…

Qyteti i Lushnjës ishte plot jetë të dielën më 7 maj, një javë përpara mbajtjes së procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Jo vetëm në rrugët kryesore dhe në parkun qendror, por dhe pjesa tjetër e qytetit ishte mbushur me njerëz që shkonin drejt destinacioneve të tyre. Mes tyre gjen dhe nëna me foshnje që lypin në rrugë, apo të tjerë që përpiqen që të sigrojnë të ardhura duke shitur libra ose rroba të punuara në mënyrë artizanale, me dorë.

I ulur në një stol në anë të rrugës kryesore, Lutfi Paja, pensionist, kur e pyesim për mendimin e tij për këtë fushatë zgjedhore, ankohet fillimisht për pensionin e ulët, sipas tij në masën 100 euro.

“Na dridhet buza kur flasim. Gjynah ore, për 100 euro, shtresa më e diskriminuar, shtresa më e amortizuar, shtresa e lënë mbas dore. […]Të na lësh në këtë gjendje ne pensionistët, s’pi dot një kafe, pa lëre të tjerat, i kemi harruar fare”, thotë ai.

Në vijim, megjithëse deklaron përkatësinë e tij politike, Paja thekson se nuk do ta ushtrojë të drejtën e votës më 14 maj për të zgjedhur kryetarin e bashkisë. “Nuk vete të votoj fare. Unë jam i majtë, i majtë kam qenë, i majtë do vdes, ama unë nuk të dua për sytë e bukur. Të dua të bësh ashtu si dua dhe unë, të më duash dhe mua”, kërkon i moshuari dhe tregon se nuk i është dhënë e drejta e fjalës në një miting ku kishte qenë i pranishëm drejtuesi politik i fushatës së Qarkut Fier për Partinë Socialiste, Taluant Balla.

“Dhe në kohën e Enver Hoxhës, nuk më është prerë llafi mua, jo të ma presin tani në kohën e demokracisë, mos të më lejojnë. Jo të vijë të flasi ai, por të thotë ça keni o popull”, pohon Paja.

Ka dhe të tjerë qytetarë që shprehen se nuk do të votojnë pasi janë të pakënaqur nga politika. Ndërsa një që kalon aty pranë deklaron se do të votojë kryetaren aktuale, që sipas tij ka kryer punë të mira. Shumë të tjerë që luajnë shah ose qëndrojnë në park, nuk pranojnë të flasin duke treguar indiferentizëm ndaj fushatës. Lushnja ka 105 mijë votues në listat zgjedhore, ndërsa këshilli bashkiak ka 41 anëtarë. Për zgjedhjet e 14 majit, 12 parti garojnë për këshilltarë duke prezantuar në listat e tyre të mbyllura 505 kandidatë. Socialistët kanë qeverisur bashkinë e qytetit të Lushnjës që nga viti 2007, kur mposhtën demokratët. Ata kërkojnë mandatin e pestë radhazi për qytetin dhe të tretin për bashkinë e madhe me anë të kryetares aktuale në detyrë, Eriselda Sefa, pasi kryebashkiaku jetëgjatë i mëparshëm Fatos Tushe ra në burg për abuzim me detyrën.

Sefa ka mbajtur më parë pozicionin e nënkryetares së bashkisë, deri sa i zuri vendin Tushes.

Përballë saj garon kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Eduart Sharka, i cili është një ekonomist agrar.

Lushnja është zona bujqësore më e rëndësishme e Shqipërisë me prodhime të bimëve të arave, zarzavateve, bostanoreve dhe prodhimeve blegtorale në zonat e ulëta, si dhe me ullinj e vreshta në zonat kodrinore. Gjatë dekadës së fundit janë zhvilluar serat për prodhim zarzavatesh jashtë sezonit natyror për konsum vendës e për eksport.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Eduart Sharka shprehet se ka eksperiencën dhe formimin e duhur për të administruar bashkinë. Ai thekson se është një alternativë që nuk i ka askujt borxhe, as bandave dhe as biznesit, e për rrjedhojë bashkëpunimi do të jetë me qytetarët e ndërshëm që punojnë. Sipas Sharkës, një nga arsyet pse po ikin shqiptarët nga vendi është komunikimi i administratës publike; burokracia; përplasja në zyra; zvarritjet; ‘shikimi nga duart’ dhe mosmbarimi i punëve.

Sharka sqaron se në programin e tij ka përcaktuar që t’i transferojë shërbimet bazë sa më pranë banorëve të bashkisë, në njësitë vendore.

Ai premton projekte dhe në infrastrukturë, për ndërtimin e një parku të ri dhe disiplinimin dhe pastrimit e ujërave të ndotura.

Për bujqësinë shprehet se ka prioritet skema grantesh për t’u dhënë ndihmë të rinjve të investojnë në këtë sektor. Ai konsideron mjaft të rëndësishëm edhe përcaktimin e një zëri në buxhet për kompesimin e dëmeve në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore. Sipas Sharkës, do të ketë investime të përhershme në mirëmbatjen e rrugëve mes tokave bujqësore, si dhe për kanalet vaditëse e kulluese.

Si qëllim final në sektorin e bujqësisë, Sharka ka mundësimin e certifikimit të produkteve vendase, që të mund të shiten edhe në vendet perëndimore. Sharka sqaron se Bashkia e Lushnjës ka një buxhet prej 13 milionë eurosh në vit dhe sipas tij, mjafton për të rikuperuar dhe rehabilituar infrastrukturën në qytet, në zonat rurale, si dhe atë të bujqësisë. Lidhur me fushatën elektorale, Sharka shprehet se ndihet mirë, pasi ka gjetur mbështetje të konsiderueshme nga banorët e Lushnjë, që sipas tij e kanë mirëpritur programin që u ka prezantuar. Ndërkohë, ai akuzon rivalen socialiste se po përdor administratën dhe burimet publike në shërbim të fushatës së saj elektorale.

“Unë do mirëkuptoja stafin e ngushtë, por që të vihet e gjithë administrata, edhe ato pozicione që janë shërbime publike dhe janë njerëz teknikë, diku me trysni, sepse ashtu funksionon se duhet të ruash vendin e punës”, thotë Sharka.

Sipas tij, fondet publike që duhej të ishin investuar gjatë gjithë vitit, janë konsumuar gjatë tre muajve të fundit. Sharka pretedon se janë kryer investime në asfaltimin e rrugëve, pa pasur projekte paraprake; se punimet nuk janë kryer nga subjekte të specializuara; si dhe mungojnë kontratat e garancive. Ai vërejti se udhëheqësi politik i qarkut për PS-në, Taulant Balla, në çdo takim thotë se nuk do të jepen fonde për investime nëse fiton kandidati opozitës. Sipas Sharkës, këto deklarime janë antikushtetuese.

Sharka ngre si problem edhe rikthimin nën administrimin e bashkisë pak kohë para zgjedhjeve, të veprimtarisë së pastrim gjelbërimit, që më parë i ishte dhënë një firme private. Sipas tij, kjo ishte bërë për të kryer punësime me qëllime elektorale. Po ashtu, ai pretendon se ka me qindra persona që marrin rrogë, por nuk punojnë. Sharka thotë se këta janë ‘patronazhistët’ dhe shton se ka presion tek qytetarët nga pushteti.

“Është për të ardhur keq që pas 30 vitesh pluralizëm, qytetarët nuk janë të lirë të shprehin qëndrimin e tyre, pro apo kundra një alternative. Jemi të gjithë bashkëfajtorë në këtë pikë që nuk kemi arritur të garantojmë lirinë themelore të njeriut, që të shprehi vullnetin e tij”, përfundon Sharka.

Kandidatja socialiste, Eriselda Sefa tregon se ndihet e qetë në këtë garë. “Kjo fushatë zgjedhore është mjaft e qetë dhe besoj se dhe tek qytetarët ka një impakt pozitv, të paktën nga ajo që unë shoh çdo ditë”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se nëse do të zgjidhet do të vijojë investimet e filluara dhe do ti shumëfishojë ato. Sefa thotë se ka në fokus infrastrukturën e qytetit dhe njësive administrative; atë shkollore e shëndetësore; mjedisin; si dhe shërbimin e pastrimit për të cilin thotë se pas më shumë se dy dekada e ka rikthyer në ndërmarrje shtetërore, nga po ndihet cilësia. Sefa shton se prioritet janë dhe turizmi, politikat sociale, sporti dhe bashkëqeverisja me qytetarët. Por, sipas saj, fokusin kryesor do ta ketë bujqësia, duke e konsideruar edhe si bazën e ekonomisë në Lushnjë. E pyetur për akuzat dhe pretendimet e rivalit të saj në këtë garë, Sefa thekson se nuk ka folur në asnjë dalje publike ndaj tij.

“Përballë unë nuk kam kandidatin, por kam qytetarët e mi”, pohon Sefa dhe këmbëngul se nuk ka asnjë presion ndaj asnjë punonjësi të administratës apo ndonjë qytetari. Sipas Sefës, çdo individ është i lirë të bëhet pjesë e strukturës politike.

“Nëse ka prova të tilla ti denoncojnë në organet ligjvënëse e ligjzbatuese e në media, e tek ndërkombëtarët”, pohoi ajo.

Lidhur me pretendimin ndaj Ballës, Sefa vërejti se ai është drejtues politik dhe se detyra e tij është pikërisht të bëjë politikë. Por, sipas saj, në takimet e territorit të Bashkisë Lushnjë, Balla nuk është shprehur asnjëherë se qeveria nuk do të mbështesë kryetarët e zgjedhur të opozitës.

Për pretendimin e ngritur lidhur me punësimet e kryera në ndërmarrjen e pastrimit, Sefa tha se vlerësimin e ka marrë nga qytetarët, që sipas saj e kanë parë çdo ditë ndryshimin që kur është kthyer në ndërmarje shtetërore.

“Është fushatë zgjedhore e qetë dhe me frymë pozitive. Qytetarët mendoj se ajo që vlerësojnë, është fryma”, përfundon Sefa./BIRN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *