Berisha: Rama e ka të humbur betejën me mua, është tronditur nga zhvillimet e opozitës!

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përgatit skenarin “për të ekzekutuar zgjedhjet e 14 majit” përmes grabitjes së votave.

“Këto zhvillime brenda PD, atë e kanë tronditur deri në palcë, pasi e sheh që betejën e ka të humbur. Ky tmerr ka bërë që ai të humbasë jo vetëm mendjen, logjikën, arsyen, por edhe të vazhdojë me flamurin e zi të një krimineli elektoral. Të dalë haptas me platformat e plaçkitjes së votës, e dhunimit para ekzekutimit paraprak. Të tregojë se është i aftë të bëjë gjithçka për të grabitur votat e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Ndër të tjera Berisha shtoi se kryeministri Rama ka ndërmarrë një sulm të paprecedent kundër forcës kryesore politike opozitare, PD-së, teksa e akuzoi se ka urdhëruar ndalimin e regjistrimit të aktit të gjykatës në regjistrin e partive politike, në një akt antidemokratik dhe diktatorial.

“Rama ka ndërmarrë një sulm të paprecedent kundër forcës kryesore politike opozitare, PD-së. Ai mendon se mund të mbajë peng këtë forcë, për çka e vërteta është se do mjerohet. Ai përpiqet që të bëjë çdo gjë, që forca jonë politike, në garën e ardhshme elektorale, të hyjë siç dëshiron ai. Edhe njëherë duhet të theksoj për qytetarët e këtij vendi, e vërteta është, lidhur me PD-në dhe regjistrimin e saj, se në përputhje me të gjitha standardet e një vendi të lirë, Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin e saj, plotësisht kushtetues, plotësisht ligjor.

Ndaj dhe duhet t’u them qytetarëve, duhet t’u them demokratëve, të mos vendosin gishtin aty ku nuk qëndron. Gjykata ka bërë punën e saj. Në çdo vend të lirë, çdo grup qytetarësh që vendos të krijojë një shoqatë apo një parti, harton një rregullore apo status të vetin, plotëson kushtet ligjore dhe e dorëzon në gjykatë, e cila, pasi vërteton saktësinë e dokumenteve, përputhjen e statutit me parimet e Kushtetutës, vendos regjistrimin e saj. Në vendet diktatoriale kjo bëhet në ministrira. Unë kam qenë kardiolog, shoqata jonë e kardiologjisë regjistrohej në ministri. Statuti miratohej në ministri.

Liria ia heq këtë të drejtë ekzekutivit dhe ia jep gjykatës për të garantuar autonominë dhe pavarësinë e shoqatave dhe partive. Në Shqipëri kjo ka ndodhur. Gjykata më 25 mars ka vendosur, pasi e shtyu tre muaj. Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Edi Rama është ai që ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës në regjistrin e partive politike, në një akt antidemokratik dhe diktatorial. Është vetëm Edi Rama që ai nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolutisht ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është problem gjykate, është problem Edi Rame.
Është problem i atij, që ka ndaj pluralizmit politik të njëjtat armiqësore si i ati i tij, i cili si xhelat, firmoste në gusht të vitit 1988, varjen në litar të poetit që shprehej për të drejtat e njeriut. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër stalinist të Edi Ramës, që nuk do që kjo parti të regjistrohet”, ka deklaruar Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *