Berisha për kandidatin e PS në Patos: U emërua me valixhe me €, e shoqja e tij e arratisur në Londër

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Patosit është emëruar pasi ka dhënë një valixhe me euro.

Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi me qytetarët e Patosit, ku prezantoi kandidaten e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Sofije Alushaj.

Berisha tha se e shoqja e kandidatit të PS-së për Patosin është arratisur në Londër, pasi rezulton të jetë e shpallur në kërkim për vjedhjet në Hipotekën e Sarandës.

“Ne do të bëjmë gjithçka të forcojmë dhe konsolidojmë familjet tona. Ne u qëndrojmë vlerave familjare. Nuk pajtohemi kurrë me agresionin aktual më të egrin e të gjitha kohërave ndaj familjes. Përpjekjet për zhbërjen e familjes, përpjekjet për t’i shndërruar prindërit në numra. Përpjekjet për t’i mohuar fëmijëve gjininë që i ka dhënë zoti. Edi Rama që po bën 25 vite në pushtet ka sot në duart e tij të gjitha pushtetet. A ka mëkat më të madh ndaj vetes sonë e fëmijëve tanë sesa t’i japim prapë pushtet atij që e ka shfrytëzuar në mënyrën më të keqë.

Rama po të kishte një emër të dytë do të njihej si emër i së keqes. Kandidati i Ramës këtu është një shushunjë e pashpirt. Janë Fatjonët e OSHEE-së që prenë faturat e arrestimit të 38 mijë qytetarëve për energjinë elektrike. Askund në botë një çështje civile nuk trajtohet si çështje penale. Edhe në Librazhd Rama ka emërua dikë që është përgjegjës për burgosjen e të paktën 200 qytetarëve. Kanë kryer krime anti-kushtetuese. Por përse Rama ka kapur lopatën si punëtor i madh. Lopatën e ka kapur vetëm për t’u hedhur hi syve qytetarëve. Unë ju bëj thirrje juve, socialistëve të Patosit që nuk i ka pyetur kurrë njeri për Fationit, t’i kërkojnë Fationit të ballafaqohet këtu në skenë me Sofinë.

Fationi u emërua me valixhe me euro. E shoqja e Fationit është në arrati në Londër. Mos e pranoni në asnjë mënurë në fushatë pa sjëllë të shoqen. Këta kanë humbur çdo cipë, s’kanë respekt për qytetarët. E shoqja është në kërkim, pasi ka bërë batërdi në Hipotekën e Sarandës. Po sille njëherë të shoqen para ligjit ti dhe pastaj hajde kandido. A ka fyerje më të madhe për qytetarin sesa të sjellësh një kandidat që ka të shoqen me mandate arresti? Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, vetëm aty ku krimi ka gjithçka në dorë. Unë kam besim në ndershmërinë e qytetarëve të Patosit.

Nuk mund t’ja çelin kurrë derën atij. Edhe ky në Londër ishte, nga Londra ka ardhur këtu. Nuk ka ngel gjë tjetër vetëm se t’i nxjerrim nga burgu dhe t’i sjellim të kandidojnë për kryebashkiakë. Ndryshimet do të jenë shumë të mëdha. Ne jemi parti e mbështetjes së qytetarëve. Në vitet kur qeverisëm, investime të pamohueshme u bënë në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *