BE përfshin Ballkanin në zbutjen e pasojave të luftës në Ukrainë

 

Kreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, u premtoi liderëve të Ballkanit Perëndimor në një takim në Nju Jork, se BE-ja do të ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar kërcënimet hibride.

Takimi i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor me kreun e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u zhvillua në Nju Jork, ku po mbahet sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kishte në fokus ndikimin që ka në rajon pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Borrell: BE ndihmë  Ballkanit për energjinë e kërcënimet hibride

Josep Borrell u premtoi shteteve të Ballkanit Perëndimor se Bashkimi Evropian,  do t’i ndihmojë ata për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë edhe ato kibernetike”. Në njoftimin e lëshuar nga zyra e Borrell thuhet se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të luftës së Ukrainës mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë, stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”. “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjell lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja e përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”.

Në takimin me Borrell merrte pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit shkroi, se “në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbej si satelit asaj për destabilizim të rajonit”. Serbia është vendi i rajonit që refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, megjithë thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.

Osmani ngre çështjen e liberalizimit të vizave

Në takimin me Borrell në Nju Jork, presidentja Osmani ngriti edhe njëherë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku vendi akoma nuk gëzon të drejtën e lirë të lëvizjes në zonën Shengen. “Prej katër vjetësh, institucionet e Bashkimit Evropian, kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”. Në takim “presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës. Në takimin e organizuar nga Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar “mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”.

 

Në takimin me Borrell merrte pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili nga Nju Yorku, shkroi në profilin e tij në Instagram, se “ka një lajm të mirë për tërheqjen e një njohjeje për Kosovën”. “Pavarësisht se Serbia po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ka një lajm të mirë për qytetarët e Serbisë. Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do t’i referohemi të drejtës publike ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *