Babai i ndërroi jetë/ Vajza: Komisariati 4 sekuestroi dhe zhduku armën e tij të gjahut

Denoncimi i radhës në redaksinë e emisionit Stop në Tv Klan ka të bëjë me Komisariatin numër 4 në Tiranë. Një qytetare denoncon humbjen e një arme që ka pasur me leje. Ajo tregon se në vitin 2000 babai i saj mori 2 çifte me leje. Ai ndërroi jetë në vitin 2017 dhe armët i mbajti bashkëjetuesja e tij. Për shkak të një konflikti me partneren e babait dhe një denoncimi në polici, Komisariati numër 4 sekuestroi armët, duke kërkuar që fëmijët të bëjnë çeljen e trashëgimisë.

“Në vitin 2000 babai im ka pasur dy armë, çifte teke dhe çifte dy grykëshe me leje. Leja është lëshuar nga Komisariati Nr.4 në vitin 2000. Babi ndërroi jetë në vitin 2017 dhe pastaj vendosëm bashkë me vëllain që të bënim çeljen e trashëgimisë sepse normalisht na duhej dhe për gjëra hipotekore. Para se të ndodhte kjo, babi bashkëjetonte me një grua. Edhe pse vdiq babi, shkuam tek ajo. Kur shkuam herën tjetër për të folur për gjërat e funeralit bashkë me vëllain, unë shikoj që në mur nuk ndodheshin dy çifte. I tha vëllai ku ndodhen 2 çiftet sepse para disa ditëve ishin këtu. Unë bashkë me vëllain konfliktohem edhe erdhën shumë njerëz të tjerë dhe normalisht kërkuam ndihmën e policisë. Vjen policia e Komisariatit Nr.4. Bashkë me të, dhe ne, na marrin në komisariat, marrin dhe atë në pyetje dhe ajo çiftet i kishte çuar në një vend shumë të largët. Nuk e di se ku i kishte dërguar dhe policia në atë moment e merr dhe atë, shkojnë dhe i marrin çiftet. Merren të dy çiftet dhe bllokohen te komisariati i policisë. Në atë moment policia më thotë që ti duhet të bësh çeljen e trashëgimisë që ne shohim që ju jeni të dy fëmijët që t’i tërheqim”, thotë denoncuesja.

Pasi vajza bëri çeljen e trashëgimisë, në komisariat i thonë se duhet të bëjë një kurs për përdorim arme.

“Pas 5-6 muajve u paraqita dhe ai më thotë që duhet të bëni një çelje trashëgimie që jeni fëmijët por nuk kemi marrë asnjë letër, asgjë që armët janë bllokuar. Bëra çeljen e trashëgimisë ku këtu figuroj që jam vetëm unë dhe vëllai im jemi trashëgimtarët e babait tonë. Në momentin që shkoj, komisariati më thotë që duhet të bësh kursin për t’u pajisur me një aftësim teorik dhe praktik për mbajtje dhe përdorimin e armëve. Regjistrohem, kryej kursin. E marr dhe dëshminë. Çështja zvarritet dhe paraqitem te komisariati dhe pastaj më thotë që ne posedojmë vetëm çiften  e cila është çifte ruse, jo teke. Ajo ka shkuar për shkrirje. Pse pikërisht shkon në proces shkrirje arma më e mirë teke. Komisariati Nr.4 më tha që duhet të shkosh tek 100-ta sepse ne atje i kemi transferuar që të dy. Dua një proces-verbal ose një provë që arma ka shkuar për shkrirje dhe unë jam e qetë”, vijon denoncimi.

Pasi kalon dhe këtë procedurë, i thonë njëherë se njëra nga armët është çuar për shitje.

“Kur shkova te Komisariati Nr.4 dhe kërkova çiften teke ata m’u përgjigjën që çiftja teke është asgjësuar, ka shkuar për hekur”.

Por herën e dytë i thanë se arma është çuar në depo.

“Versioni numër dy sot në komisariat nr.4 më thanë që jo, çiftja nuk është shkrirë por ti mund të na bësh një kërkesë dhe na e dorëzo dhe ti do marrësh këtë përgjigje që thjesht arma është në depo”.

Për këtë proces nuk ka asnjë procesverbal. Ne i drejtohemi Qendrës së Furnizimt Materialo Teknik, në Mullet, ku mësojmë se arma ka shkuar në repartin ushtarak 4006 në Elbasan, dhe nga aty në Gramsh.

“Në momentin që paraqitem tek 100-ta në Mullet të më japin një fletë dalje që kjo armë ka dalë nga 100-ta dhe ka shkuar në repartin ushtarak 4006 në Elbasan. Dhe më kanë dhënë fletë daljen. Është bërë urdhri në 15 Shkurt 2022. Pastaj më thanë që depo në Elbasan nuk është funksionale dhe kanë shkuar në Gramsh”.

Vajza e të ndjerit kërkon që të dijë se çfarë ka ndodhur me armën e babait të saj. Ajo thotë se Komisariati Nr.4  duhet t’i japë një proces-verbal për shkrirjen ose jo të armës së saj.

“Unë tani kërkoj të pajisem me një vërtetim se çfarë po ndodh me çiften. Nëse është në përdorim të dikujt pa leje ndërkohë që janë në emrin tim, apo është shkrirë dhe me një proces-verbal që kjo është shkrirë dhe unë jam e qetë. Arma teke dhe kjo armë çifte asnjëherë nuk kanë pasur precedent. Kanë qenë shumë të pastërta. Nëse armët do ishin me precedent, çdo institucion ku unë jam paraqitur do më thonin që mos e kërko më sepse janë armë me precedent. Në qoftë se shteti e ka shkrirë, mjafton të më pajisë me një proces-verbal që kjo është shkrirë dhe unë të jem e qetë që me atë armë nuk po ndodh asgjë aktualisht”./TvKlan

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *