“Lefter Koka nuk firmosi i vetëm 17 vendime qeverie”/ Lulzim Basha: Mbështesim drejtësinë! Edhe ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion

Përmes një konference për media nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha i bëri apel drejtësisë së re për një goditje të plotë në lidhje me atë që ai e quan skema mafioze e inceneratorëve. Basha theksoi se ish-ministri Lefter Koka nuk mund të firmoste i vetëm 17 vendime qeverie brenda një dite, ndaj duhet të vijojë hetimi tek personat e tjerë përgjegjës.

“Partia Demokratike e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër korrupsionit. Përshëndes ata hetues që kanë filluar të godasin korrupsionin pavarësisht presionit, edhe në këtë aferë siç do ta shikoni, për të mos hetuar këtë aferë.

Kjo është arsyeja pse kemi ngritur Komisionin e inceneratorëve, do të vijojmë punën tonë për denoncimin e korrupsionit në Shqipëri.

Natyrisht do të donim që kjo të kishte ndodhur kohë më parë, por më mirë vonë se sa kurrë. Presim si të gjithë shqiptarët që kjo goditje të jetë e plotë dhe jo me koka turku. Natyrisht Lefter Koka nuk është thjesht një kokë turku, por Lefter Koka nuk mund të bënte 17 vendime qeverie brenda ditës, Lefter Koka nuk mund të mblidhte të gjithë grupin parlamentar të PS-së te skena e krimit që është sekuestruar së fundmi nga prokuroria, që është inceneratori i Elbasanit. E mbani mend apo jo?!

Edhe partia Demokratike ka patur korrupsion, jemi të vendosur ta luftojmë dhe atë. E di që shpesh kjo retorikë është bërë bajat pasi sa herë që ne kemi dalë, propaganda e qeverisë dhe qytetarët kanë folur për korrupsionin e Partisë Demokratike. Ajo që unë i them të gjithëve është se ne kemi vendosur të shkëputemi nga e kaluara dhe të vijojmë drejt të ardhmes”, tha Basha.

Kryetari i PD tha se përfituesi i kësaj skeme mafioze sipas tij është Edi Rama.

“Është denoncuar afera korruptive në SPAK dhe përgjigja e kryeqeveritarit ishte që në vend të thërriste vartësit e tij që ti kërkonte llogari, mobilizon të gjithë grupin parlamentar i çon në ‘skenën e krimit’ e cila sot është vendosur me shirit të verdhë pasi është sekuestruar nga SPAK. Është unike në botë të mbledhësh grupin parlamentar në një vendgrumbullimi mbetjesh. Është unike që pasi opozita të ka akuzuar për korrupsion mbledh qeverinë dhe grupin parlamentar te skena e krimit. Çfarë e shtyn një kryeministër ta bëjë këtë nëse vetë është jashtë skemës, përfitues i kësaj skemës? Arrestimi i Lefter Kokës nuk mund të jetë kurrsesi maja e hetimit. Nuk ka njeri që u mbush mendjen shqiptarëve që Edi Rama mblodhi grupin parlamentar te inceneratori i Elbasanit për të mbrojtur Lefter Kokën. Janë 3 kryetarët e bashkivë, Elbasan, Fier dhe Tiranë, është Arben Ahmetaj. Është një skemë mafioze”, tha kreu i PD.

Kreu i PD tha se edhe në ish qeverisjen e PD ka pasur korrupsion, për të cilin theksoi se janë të vendosur ta luftojnë.

“Edhe ish qeverisja e PD ka pasur korrupsion. Jemi të vendosur ta luftojmë atë. E di që shpesh kjo retorikë mund të duket bajate, sepse edhe ish-qeverisja e PD ka patur pjesën e saj në këtë plagë të madhe për gjithë shoqërinë!!! Por ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga e kaluara jonë e keqe, dhe te zgjedhim të ardhmen që vetëm ne mund ta sjellim për shqiptarët!” u shpreh Basha.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *