Albin Kurti: Serverat e qeverisë kanë qenë nën sulme kibernetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se serverat e qeverisë janë sulmuar disa herë nga hackerat.

Ndërsa merrte pjesë në diskutimin me temë “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, në kuadër të Konferencës për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI, Kurti u shpreh se mbrojtja e shtetit të Kosovës është solide, por se nuk është e mjaftueshme sa i përket këtyre sulmeve.

“Besoj që e kemi një mbrojtje solide por jo të mjaftueshme. Kemi pasur dy raste më të theksuara të sulmeve DIDOS në serverët e qeverisë dhe ia kemi dalë përkundër pengesave që na kanë shkaktuar. Pra nuk kanë arritur të depërtojnë në sistem, të na dëmtojnë sistemin mirëpo na e kanë vështirësuar funksionimin.

Ne po marrim mësime dhe nga rasti i Shqipërisë, por nuk janë sulmet vetëm të tilla që duan të të dëmtojnë apo të vjedhin, ka edhe sulme në kuadër të asaj që po quhet lufta hibride pra depërtimi me çerek të vërteta, me lajme të rrejshme e shpesh herë edhe me histori të rrejshme të cilat nga qendrat e caktuara bëhen publike”, tha Kurti.

Ai shtoi se në njërën anë kemi sulmet kibernetike mbi sistemet qeveritare e jo vetëm dhe në anën tjetër kemi edhe ato të cilat janë sulme që nuk kanë qëllim rënien e sistemit por deformimin e opinionit.

Kurti deklaroi se adresimi i rrezikimit të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim me aleatët.

“Digjitalizimi kontribuon për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Kemi zhvilluar një udhërrëfyes strategjik për digjitalizimin. Progresi ynë i transformimit digjital është njohur në indeksin e pjekurisë së Bankës Botërore, ku Kosova është ngritur nga grupi C në B. Sulmet kibernetike kanë potencial të bëjnë dëme të konsiderueshme deri në rrezikim të sigurisë kombëtare. Kemi pasur disa sulme në sistemin tonë qeveritar. Dezinformimi është shfaqur si rrezik që ka mundësi të krijojë rreziqe të mëdha për shoqëri. Adresimi i rrezikimit të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim me aleatët dhe krijim të urave me palët e interesit. Kjo siguri kibernetike është e rëndësishme për Qeverinë në muajt në vijim”, tha Kurti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *