”Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”/ Musine Kokalari, gruaja që trembi komunizmin!

38 vite më parë do të shuhej një ndër shkrimtaret e para shqiptare, veprimtare politike e kulturore, Musine Kokalarin. Gruaja simbol e cila i doli ballë për ballë komunizmit duke e kritikuar atë sypatrembur. Dhe ishte pikërisht ajo diktaturë e pamëshirshme që u mundua të shuaj forcën e saj intelektuale, por asnjëherë nuk arriti të mposhtë idealet e saj!

Musine Kokalari u lind më 10 Shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë në gjirin e një familjeje Gjirokastrite patriotike e të etur për dije. Më 1920, së bashku me familjen u kthye në Gjirokastër. Si fëmija më i vogël i familjes, Musineja u trajtua me një dashuri e përkujdes të veçantë. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë në përgjithësi dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi veçanërisht përmes librarisë “Venus” që i vëllai i saj Vesim Kokalari zotëronte në Tiranë në mes të viteve ’30. Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”.

Përgjatë vitit 1937, një sërë artikujsh të Musinesë mbi problemet sociale u publikuan në gazetën “Shtypi” nën pseudonimin “Muza”. Më 1938, Musineja nis studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë. Më 1939, Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë profesionale letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë si një koleksion i përbërë nga dhjetë rrëfenja të frymëzuara kryesisht nga kultura popullore e zonës së Gjirokastrës dhe të kompozuar në dialektin Toskë. Në qendër të kësaj vepre qëndon figura e gruas Gjirokastrite dhe mundimet që duhet të përballeshin prej saj brenda një shoqërie thellësisht patriarkale. “Siç më thotë nënua plakë” cilësohet si vepra e parë letrare e shkruar dhe publikuar nga një grua Shqiptare në të gjithë historinë e vendit.

Gjithashtu, më 1940 Musineja arrin të botojë një fjalor Italisht-Shqip që, për fat të keq, nuk është ruajtur. Ndjesitë e përjetuara si studente në një vend të huaj të përfshirë nga lëvizja fashiste , ajo i përjetëson përmes shkrimeve në gjuhën Italiane gjatë viteve 1940-1942, në formën e një ditari të njohur me titullin “La Mia Vita Universitaria” (“Jeta ime Universitare”). Këtë shkrim të mirëfilltë letrar Musineja duket se synonte t’a publikonte fillimisht në shtetin Italian në gjuhën Italiane, qëllim që nuk pati mundësi t’a arrinte gjatë jetës së saj.  Në fillim të vitit 1942, Musine Kokalari diplomohet me rezultate të shkëlqyera, pas katër viteve të mbushura me studime e punë kërkimore.

Që nga fillimi i vitit 1942 Musineja përfshihet në lëvizjet antikomuniste dhe antifashite në Romë e me të njejtat bindje kthehet në Shqipëri. Me një vizion tashmë të zgjeruar e të pasuruar, ajo vendoset në Tiranë ku krahas punës vetjake letrare, ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës. Gjithashtu, përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në Qershor të 1943 nën pseudonimin “Tacitta”. Në të njëjtin vit, krijohet “Partia Social Demokrate e Shqipërisë” pjesë e së cilës ishte dhe Musineja si themeluese e frymëzuese kryesore e këtij entiteti politik. Në vijëmësi të këtij projekti politik, në 1 janar të vitit 1944 Musine Kokalari bashkë me Prof. Isuf Luzi publikojnë numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë” që shërbente si një gazetë zyrtare e partisë së sapothemeluar Social Demokrate.

Historia e dhimbshme e jetës së disidentes së burgosur e internuar nga diktatura

Thëniet e saj ishin akuzat e një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen. “Unë s´jam fajtore. S´jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje, Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944. Sistemi i kaluar kishte dhe një inat tjetër me Musinenë.

Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi një partiak i Hoxhes. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e kokalari3Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra.

Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.

Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

Çastet e fundit të jetës

Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s´jam fajtore…”.

Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konseguente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë.

Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e raskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri.

“Ç´fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.

E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”. “ Ketu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej.

Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë kokalari2nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje.

Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Falë ditëve që erdhën u mundësua të thuhet e vërteta për personalitete të tillë si Musine Kokalari. Diktatura e burgosi, e internoi, e vdiq, por nuk e varrosi dot. Ajo i mbeti gjallë popullit dhe atdheut, një dritë e pashuar e kulturës shqiptare. Nga piedestali ku e vendosi koha, ajo vazhdon të thotë : “Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë. Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *