Arrestimi i ish-policit serb, reagon Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga autoritetet kosovare.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për mediat.

Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiq, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, Pantiq jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë nën përcjelljen e Policisë kishin tentuar të shkonin./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *