1-vjetori i luftës në Ukrainë/ Xhaçka në OKB: Shqipëria mbështet paqen

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, aty ku u mbajt një takim për 1 vjetorin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Xhaçka tha se ky ishte një agresion i paprovokuar dhe se është dënuar përmes një sërë rezolutash nga OKB, për të cilat u shpreh se kanë patur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë. Ministrja u shpreh se krimet e kryera në Ukrainë, janë akuza më e mirë ndaj natyrës së vërtetë të sulmit rus. Në fjalën e saj, ministrja u shpreh se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka pasur pasoja dramatike për të gjithë botën.

Pjesë nga fjala e Xhaçkës: “Një vit më parë, në këtë ditë, bota ishte në ankth, duke pritur të shihte se çfarë zgjedhje do të bënte Presidenti i Rusisë. Më 24 shkurt mësuam se ai e bëri zgjedhjen e tij. Kjo është një luftë për të cilën nuk kishte arsye tjetër përveç zgjedhjes së Presidentit rus. Duhet ta kujtojmë mirë këtë. Ukraina nuk e sulmoi Rusinë, Ukraina nuk e kërcënoi kurrë Rusinë.

Ishte një pushtim i paprovokuar, i paligjshëm, pushtim kriminal i një vendi. Ishte mbi të gjitha një akt sulmi që shkelte qartë Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Një akt që u dënua në mënyrë të qartë, dhe me vota dërrmuese përmes një sërë rezolutash nga kjo Asamble. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë gjithashtu shumë e qartë në vendimin e saj të datës 16 mars 2022, duke deklaruar se Federata Ruse duhet të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës.

Krimet e luftës që ka kryer në Ukrainë gjatë vitit të kaluar, bombardimet pa kriter të qyteteve dhe qytezave të tëra, përdhunimet, ekzekutimet, mobilizimi masiv i të dënuarve dhe mercenarëve, janë ndoshta akuza më e mirë ndaj natyrës së vërtetë të luftës së Rusisë.  Kjo luftë ka patur pasoja dramatike për të gjithë botën. Unë besoj se një botë ku forca ndikon në të drejtën, ku vendet mund të vendosin papritur të sulmojnë fqinjët e tyre dhe të aneksojnë pjesë të territorit të tyre, është një botë që nuk do të ishte dobiprurëse për asnjë prej nesh. Ose njerëzit tanë. Praktikisht do të thoshte të ktheheshim në logjikën e viteve 1930.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria mbështet plotësisht rezolutën “Parimet e Kartës së OKB-së që qëndrojnë në themel të një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”. Kjo është arsyeja se pse ne besojmë se kjo Asamble duhet të votojë në mbështetje të kësaj rezolute dhe të bëjë të qartë mbështetjen për një paqe të drejtë në Ukrainë.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *