Xhaçka zbardh detaje nga takimi me homologun spanjoll

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka pritur sot në takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.

Xhaçka tha sot se Shqipëria dhe Spanja do të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.

Në komunikim për mediat Xhaçka vlerësoi se kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit.

“Ministri Albares na prezantoi linjat kryesore të Presidencës spanjolle. Ndajmë të njëjtin mendim, që zgjerimi nuk është thjesht një instrument i BE-së, por është vetë esenca e Unionit. E informova homologun Albares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit”, tha Xhaçka.

Ministrja theksoi se “deri në fund të vitit 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grupkapitujt e negocimit”.

“Kërkova mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë. Ramë dakord për nënshkrimin e një Memorandum Bashkëpunimi mes vendeve tona. Synimi ynë është arritja e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian”, tha ministrja.

Xhaçka po ashtu tha se në këtë memorandum parashikohet që Spanja, të na mbështesë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se “në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme”.

“Shqipëria mirëpret prioritetet e politikës së jashtme të Spanjës në këtë rajon, në kuadër të Presidencës të Këshillit. Mirëpresim faktin që në vitet e fundit politika e jashtme spanjolle është orientuar edhe drejt Mesdheut Lindor, përfshirë Ballkanin Perëndimor”, tha Xhaçka.

Sipas saj, “forcimi i bashkëpunimit BE-Ballkani Perëndimor është bërë më i rëndësishëm se kurrë si pasojë e agresionit të paligjshëm rus ndaj Ukrainës”.

Kryediplomatja shqiptare vuri në dukje se “Shqipëria dhe Spanja janë në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe vënien e Rusisë para përgjegjësisë”, ndërsa shtoi se “qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është veçanërisht e mirëpritur”.

Xhaçka shprehu mirënjohjen për angazhimin e BE-së dhe partnerëve amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër. Kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Është në të mirën e rajonit dhe të vetë BE, që me Kosovën të ketë një angazhim sa më të gjerë e konstruktiv”, shtoi ajo.

Sipas ministres, në fokus të bisedës është edhe vlerësimi i bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh Shqipëri-Spanjë.

“Ekziston një potencial i madh në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, veçanërisht në fushën ekonomike, arsimore dhe turizmit. Konstatohet një rritje e turistëve që vijnë nga Spanja, si dhe një rritje e interesit të bizneseve spanjolle për të investuar në Shqipëri”, tha ajo, ndërsa konfirmoi vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për nxitjen e mëtejshme të një bashkëpunimi sa më të ngushtë me Spanjën.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *