Video+ Foto/ 300 kg kokainë e fshehur në kamion, zbulohet itinerari! Shoferi: Nuk kisha dijeni

Pas një operacioni në bashkëpunim me DEA-n amerikane, policia shqiptare sekuestroi në portin e Durrësit, plot 300 kilogramë kokainë. Burimet policore kanë zbuluar itinerarin e plotë që do të ndiqte kamioni.

Mësohet se kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut ishte mbushur në Belgjikë e ishte nisur nga atje. Më pas mjeti ka kaluar në mënyrë transite në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe përmes Qafë Thanës ka hyrë në Shqipëri. Kamioni kishte dy ditë që qëndronte në Portin e Durrësit pasi po priste që të nisej drejt Italisë, për të mbërritur dhe në vendin ku kishte dhe destinacionin, Napoli.

Nuk dihet ende nëse droga do të transportohej për në qytetin italian, apo prej aty, do të drejtohej për ndonjë shtet tjetër, ndërsa po hetohet më tej për një rrjet kriminal i shtrirë në tre shtete, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Itali.

Në pranga është vënë drejtuesi i kamionit, Nazif Ajroski i cili në deklaratën e tij  është shprehur se “Nuk kam pasur dijeni për lëndën narkotike që ndodhej në kamion”, duke theksuar se merret vetëm me transportin e hekurit.

Brenda kamionit kishte hekur, pllaka dhe materiale të tjera ndërtimi, një mënyrë kjo për të kamufluar transportin e drogës. Në momentin që kamioni ka kaluar në skaner është vënë re se në trupin e tij ishte bërë ndërhyrje. Kjo ka bërë që autoritetet përkatëse të hapnin kamionin dhe të kryenin një kontroll më të detajuar.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë të pikës kufitare të Portit u vu re diçka e dyshimtë në trupin e mjetit, i cili më pas iu nënshtrua kontrollit të imtësishëm. Pasi u shkarkua malli, ngarkesë hekuri e cila do të shkonte drejt Italisë, në trupin e mjetit u gjetën 40 pako, të cilat ishin ambalazhuar me logon e 6 kompanive të ndryshme.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *