Të shtënat në selinë e PD, reagon Klevis Balliu: E pajustifikueshme armëmbajtja

Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu ka komentuar ngjarjen e rëndë që tronditi degën e PD-së në Kurbin mbrëmjen e djeshme.

I ftuar në emisionin “Open”, Balliu deklaroi se kjo është një ngjarje e pajustifikueshme. Sipas tij, është e rëndë jo vetëm për faktin e armëmbajtjes por, edhe të gjuajtjes.

“Cilado qoftë arsyeja, jo vetëm që është shtirë në ajër por, vetëm mbajtja e armës në mbledhje është e rëndë. Do ndërmarrin hapat tona si subjekt. Nuk ka asnjë justifikim sidomos për PD. Asgjë nuk e justifikon, kjo është një çështje parimesh.

Në Kurbin ka një mirëkuptim edhe për problemet që ka pasur PD, ndaj jam i habitur. Duhet parë si ka ndodhur ngjarja dhe gjendja në të cilën ka qenë personi. Megjithatë është e pajustifikueshme. Për PD këto janë një çështje me të cilat nuk ka shaka”, deklaroi Balliu.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në një mbledhje të kandidatëve të ‘Primareve’ dhe Kryesisë së PD-së në Kurbin, pas një debati mes Van Ricës dhe nënkryetarit të PD në këtë njësi, Kastriot Marku, Rica ka qëlluar me pistoletë në ajër.

“Molla e sherrit” kanë qenë anëtarësimet e reja, pasi Rica kërkoi që të shtoheshin votuesit, ndërsa Marku e kundërshtoi.

Pas ngjarjes autori iku në drejtim të paditur, ndërsa ditën e sotme është arrestuar dhe po merret në pyetje nga policia e Kurbinit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *