Klajdi dhe Sajmojen Taullau, që të dy djem xhaxhallarësh, janë të shoqëruarit e sotëm në Policinë e Durrësit. Sajmojen Taullau është djali i Saimir Taullaut, i njohur në Lushnjë si një prej hasmëve apo rivalëve të kapobandës Aldo Bare (Alfred Shkurti), kurse Klajdi Taullau është kushëriri i tij i parë.
Nuk dihen ende arsyet që kanë çuar në shoqërimin e tyre nga Policia e Durrësit, por deri tani mendohet se ata mund të jenë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.
Nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka ende informacione zyrtare në lidhje me këtë shoqërim, apo për procedurat që do të ndiqen më vonë me dy kushërinjtë Taullau.
Nga ana tjetër Saimir Taullau është në Zvicër pasi është dënuar me 4 vite burg për trafik droge, teksa një vit më parë u arrestua në Maqedoninë e Veriut.
Ai u ka shpëtuar dy atentateve në vitet 2017 dhe 2018, teksa prej vitit 2005 njihet si rivali më i fortë i Aldo Bares, pas vrasjes së vëllait të tij, Baki Taullaut.
Taullau është dënuar në vitin 2013 dhe është arrestuar gjatë një aksioni të policisë zvicerane. Teksa hetimet po zhvilloheshin lidhur me dosjen e tij, togat e zeza vendosën që ta linin në masë sigurie “arrest në shtëpi”, por duket se i kishin bërë “llogaritë” keq.
Taullau nuk ka respektuar vendimin e gjykatës, por ka zgjedhur që të arratiset dhe të kthehet në Shqipëri. Megjithatë ai u dënua në mungesë, dhe në shtator të vitit që lamë pas, u vu në pranga në Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu, Taullau ka qenë edhe subjekt i OFL-së, si dhe i ka shpëtuar më parë dy atentateve, në 2017 dhe 2018 para lokalit të tij.
Historia e përplasjes me bandën e Aldo Bares
Familja Taullau njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.
Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
Familja e tij, ka pasur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, ngjarje ende nuk është zbardhur.
Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.
/Priza.al/