Shkuan për të vrarë pronarin brenda lokalit në Lezhë, dalin detajet/ Nipi i deputetit një prej 3 të armatosurve (EMRAT)

Në datë 13 nëntor 2021 tre persona të armatosur e të pajisur me maska futen në ambientet e një lokali në Lezhë, duke terrorizuar disa të rinj. Ata i kërkuan secilit kartat e identiteti dhe pasi nuk gjetën ‘objektivin’ që po kërkonin u larguan.

Policia u vu në lëvizje një javë pas ngjarjes, vetëm pasi pamjet u bënë virale në media e rrjete sociale, dhe bëri me dije se ngjarja ka ndodhur në lokalin i cili ishte në pronësi të shtetasit A.L., në fshatin Zejmen.

Bazuar në provat e grumbulluara, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes, mes tyre edhe nipi i deputetit të PS Rrahman Rraja, Ramazan Rraja, 28 vjeç. Sipas policisë Rraja bashkë me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim kanë kontrolluar të gjithë klientët pasi kishin shkuar për të kërkuar kushëririn e pronarit të lokalit i cili kishte pasur një konflikt me mikun e tre të armatosurve.

Ramazan Rraja
Ramazan Rraja

Blutë e Lezhës kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes, përkatësisht shtetasit Ramazan Rraja, 28 vjeç, i cili është nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja, Alesio Dobrozi, 31 vjeç, banues në Fushë Krujë, dhe Roan Brahimi, 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Sipas policisë, autorët e ngjarjes rezultojnë me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Shkaku i ngjarjes

Nga tërësia e veprimeve hetimore policia ka zbuluar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve Ramazan Rraja, Alesio Dobrozi dhe Roan Brahimi, këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj.J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.

Kush janë 3 autorët?

Njëri prej autorëve është nipi i deputetit të PS Rrahman Rraja, Ramazan Rraja, ndërsa dy të tjerët janë Roan Brahimi dhe Alesio Dobrozi. E ndërsa nipi i deputetit është një figurë e njohur për drejtësinë dhe publikun, dy emrat e tjerë po ashtu janë me precedent penal.

Roan Brahimi është arrestuar më parë në 16 Maj të vitit 2018 në Lezhë, pasi gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan armë, municione, Euro dhe bizhuteri të dyshuara të vjedhura. Sipas policisë tre vite më parë i gjetën një armë zjarri pistoletë “Bereta” me një krehër me 15 fishekë,  14.600 Euro dhe një sasi bizhuterish. Këto materiale u sekuestruan gjatë kontrollit të mjetit tip “Lancia” që drejtohej nga Brahimi.

Alesio Dobrozi është i treti i shpallur në kërkim. Ai rezulton i dënuar në 2019 nga drejtësia italiane për vjedhje dhe grabitje.

NJOFTIMI I PLOTE

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, në ambientet e të cilit kishin hyrë disa persona të armatosur, bazuar në provat e grumbulluara, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit:

R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve R. Rr., A. D. dhe R. B., këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar).

Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.

Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *