Rita Ora ka emocionuar me performancën e saj të jashtëzakonshme në sheshin “Skënderbej”. Këngëtarja me famë botërore tërhoqi vëmendje me pamjen e saj, konkretisht me veshjen. Ajo kishte veshur një ‘body’ ku ishte ndërthurur mjaft bukur detaji i shqiponjës dykrenare, e realizuar nga stilisti i njohur Valdrin Sahiti. Këngëtarja këndoi e kërceu, ku ‘elektrizoi’ fansat e saj me atmosferën e krijuar.
Para dhjetëra qytetarëve që ishin mbledhur për të ndjekur koncertin e saj, Rita Ora foli në gjuhën shqipe duke thënë se: “Do të shijoj çdo minutë të këtij koncerti. Ju falenderoj që keni dalë nga shtëpia sonte për të më ndjekur”. Gjatë performancës, artistja kërceu vallen e Tropojës me muzikën e valles në sfond, ndërsa dha mesazhin se: “Nuk do ju zhgënjej kurrë”.
Pak minuta para se të dilte në skenë, artistja bëri një postim në profilin e saj në Instagram, ku bën thirrje që të gjithë të shkonin atje. “Është dita e spektaklit! Ky udhëtim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mezi po pres për sonte! Sigurohuni që të vini shpejt në sheshin “Skënderbej” për të parë të gjitha artistet femra që do të performojnë sonte! Shihemi më vonë”, shkroi këngëtarja.
Në koncertin që nisi prej orës 20:00 performuan edhe artiste të tjera si: Semi Jaupaj, Ronela Hajati, Kida dhe Efi Gjika. Këngëtarja Rita Ora zgjodhi që të merrnin pjesë vetëm vajza dhe gra. Në rikthimin për të tretën herë në Shqipëri në kuadër të Javës Kulturore Britanike, ajo tha se i është mirënjohës këtij vendi, pavarësisht se fillimet e saj nuk kanë qenë të lehta.