Presidenti nuk paraqitet në Komisionin Hetimor, Bushka: Do të merret parasysh në vlerësimin përfundimtar

Maxhoranca ka deklaruar se qëndrimi i Presidentit Meta do të merret parasysh në vlerësimin përfundimtar të Komisionit parlamentar hetimor për shkarkimin e tij.
Pas përgjigjes negative të Presidentit për të marrë pjesë në seancë dëgjimore në komision, nënkryetarja, deputetja e PS Klotilda Bushka deklaroi se komisioni vepron në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e tij dhe se legjitimitetin e Kuvendit e ka njohur dhe Komisioni i Venecias.

“Mungon vullneti i Presidentit për të marrë pjesë në këtë komision sepse nuk e njeh dhe e konsideron këtë procedurë fiktive dhe që po keqpërdoret nga ana e maxhorancës. Pra fajtori është prapë Kuvendi dhe komisioni hetimor që po vepron në përputhje me Kushtetutën, po zbaton detyrat nga sovrani, Kuvendi, për një çështje që është e një rëndësie edhe më të madhe, sepse flitet për arsyet e shkarkimit të kërkuar. Del qartë se në shkresë në kemi vullnetin e qartë të Presidentit për të mos marrë pjesë dhe për të mos u bindur këtij detyrimi.

Mendoj që nuk është e nevojshme të vijojmë me hapat e tjerë. Sepse sipas kodit çdo lloj qëndrimi i personit do të mbahet në konsideratë në vlerësimin e hetimit dhe vlerësimin përfundimtar që do i bëhet. Të gjitha këto akte do merren në konsideratë. Kjo është përgjigjja e asaj që ju kërkuat. Në komisionin e mëparshëm Presidenti ka marrë pjesë. Pra i njëjti Kuvend.

Ne veprojmë në bazë të veprimit të seancës së Kuvendit për ngritjen e komisionit. Jemi legjitimë. Të gjitha pretendimet për mosnjohjen e legjitimitetit të Kuvendit janë të ezauruara. Për sa kohë Komisioni i Venecias në opinionin për ndryshimin e Kushtetutës, për sistemin zgjedhor e ka thënë e zeza mbi të bardhë që Parlamenti është legjitim. Për ne rëndësi ka të garantohen të drejtat e palëve në këtë proces, ne i kemi ezauruar”, deklaroi Bushka.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *