Presidenti i FIFA-s ngre tonet: Sot ndihem arab, homoseksual dhe emigrant

Gianni Infantino ngre tonin pak orë para fillimit të Kupës së Botës dhe nuk i kursen fjalët gjatë konferencës inauguruese për shtyp të turneut në Doha për t’iu përgjigjur kritikave të dhunshme për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe diskriminimin në Katar.

“Sot ndihem Katar, sot ndihem arab, sot ndihem afrikan, sot ndihem homoseksual, sot ndihem i paaftë, sot ndihem si një punëtor emigrant”, tha presidenti i FIFA-s, duke prekur të gjitha temat.

“E di se çfarë do të thotë të diskriminohesh, e di se çfarë do të thotë të jesh i huaj në një vend të huaj. Sot jam krenar për FIFA-n, për këtë markë, për këtë Botëror që do të jetë një ngjarje e bukur, më e bukura që ka qenë ndonjëherë. Është një kampionat botëror i hapur nga kritika të forta për vendin pritës”.

Më pas disa konsiderata për 6500 vdekjet në ndërtimin e stadiumeve ai shtoi se: “Ajo që po ndodh tani është thellësisht e padrejtë. Kritikat ndaj Kupës së Botës janë hipokrite. Për atë që ne europianët kemi bërë në 3000 vitet e fundit duhet të kërkojmë falje për 3000 vitet e ardhshme, përpara se t’u jepni mësime morale të tjerëve. Këto mësime janë vetëm hipokrizi. Ne në Europë mbyllim kufijtë, krijojmë të huaj të paligjshëm: sa njerëz vdesin duke u përpjekur të hyjnë në Europë.

Europa duhet të bëjë si Katari, të krijojë kushte ligjore për punëtorët e huaj. Sigurisht që reformat duan kohë, vite dhe vite. Por kushdo që është këtu në Katar, si punëtor i huaj, është ligjërisht i tillë dhe ka të gjithë ndihmën, duke përfshirë kujdesin shëndetësor. Në Katar të gjithë janë të mirëpritur të çdo feje, të çdo orientimi seksual”.

Referenca e Infantinos është lidhur me akuzat e rënda si për kushtet e punës për ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës, me mijëra vdekje të dokumentuara, ashtu edhe për ndalimet e diktuara nga ligjet në fuqi në Katar.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *