Pasaporta e 17-vjeçarit nga Tirana që u vra më 2 korrik 1990 në murin e ambasadës gjermane

‘OLD, BUT GOLD’ NGA ROLAND QAFOKU

Atë të hënë të 2 korrikut të vitit 1990, Artin Basha nga lagjja “Kombinat” në Tiranë, u zgjua me një vendim që e kishte bluar mirë në kokë përgjatë natës. Hapi sirtarin e sendeve të veta dhe nxori prej andej pasaportën të cilën kishte vetëm pak muaj që e kishte marrë. I hodhi një sy të dhënave dhe ishte i bindur që po e shikonte për herë të fundit. Lexoi me kujdes çdo detaj: Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme. Letërnjoftim. Numri i pasaportës: 496152. Emri: Artin. Mbiemri: Basha. Emri i të atit: Përparim. Emri i të ëmës: Qiraca. Ditëlindja: 27 prill 1973. Vendlindja: Tiranë. Sa pa vlerë iu duk ajo pasaportë. E vendosi përsëri në sirtar si një relike dhe dëshmi e një periudhe që sa vuajtje i kishte sjellë vendit. Shqipëria ishte një burg i madh dhe çdo gjë kishte shkuar atje ku nuk mban më, por duhej guxim që ai regjim duhej braktisur. Me mend bëri llogari që atë ditë ishte fisk 17 vjeç, 2 muaj e 5 ditë dhe pasi doli nga shtëpia frymën e mbajti te ambasada gjermane në rrugën “Skënderbeg”. Me ëndrrën e një të riu imagjinoi të dispononte një pasaportë gjermane. Dhe kjo mund të arrihej vetëm nëse “arratisej” nëpërmjet ambasadës. Në të gjithë Tiranën ishte përhapur lajmi se ishin hapur ambasadat dhe kjo e kishte bërë me krah. Më 23 qershor kishte ndodhur ngjarja e parë e madhe. Një grup djemsh të rinjë nën drejtimin e Burhan Kalasë dhe Luan Lazes kishin goditur portën kryesore dhe ishin futur në ambasadën italiane. Pas kësaj turma të tëra kishin pushtuar atë godinë. Me efektin e përhapjes së një virusi, dhjetra persona ishin futur nëpër ambasada të tjera. Ë ëma e Artinit, Qiraca Basha, e ka si tani parasysh çdo veprim të birit të saj të atij mëngjesi. Në një rrëfim të saj ajo përsërit fjalët që nuk e mendonte kurrë gjëmën që do ti ndodhte. Artini ishte shumë afër realizimit të ëndrrës së madhe. Do futej në ambjentet e brendshme të ambasadës gjermane, do kërkonte strehim politik dhe do largohej për në Gjermani. Por…. Tjetër ishte ëndrra dhe tjetër ajo që do ndodhte në realitet. Sapo u afrua në rrugën e ambasadave këmbët i ndaloi te “gjermania”. Turma njerëzish e kishin pushtuar atë zonë me dëshirën për të ikur nga ai regjim. Në tentativën e parë për t’u futur brenda ambjenteve të ambasadës dështoi. Por heroi i asaj dite ishte Ylli Bodinaku, i cili me një kamion “Skoda” goditi fort murin e ambasadës gjermane dhe u fut me të brenda bashkë me familjen dhe 36 vetë të tjerë. Në fakt Bodinaku nuk kishte hapur vetëm një mur, ai i kishte dhënë një grusht të fortë regjimit. Sa kishte dashur Artini të ishte në karrocerinë e atij kamioni, por duke e parë shumë të ri nuk e kishin lejuar. Ndodhur në këto kushte adoleshenti nga lagja “Kombinat” bëri tentativën e dytë. Rreth orës 19.00 të po 2 korrikut ai u orvat të kapërcente murin rrethues të ambasadës. Sapo vendosi duart në majë të tij, arriti që gjysmën e trupit ta kishte nga ana e ambasadës, por një e shtënë e thatë pistolete u dëgjua. Një plumb e goditi në kurriz dhe i doli në hije. Ra në oborrin e ambasadës duke arritur ta realizojë ëndrrën e madhe, por tashmë i plagosur rëndë. Personeli i ambasadës dha alarmin. Në atë kaos shpëtimi i jetës së këtij adoleshenti ishte parësor. E mjekuan me ç’të mundnin dhe menjëherë e dërguan në spitalin kirurgjik. Për rreth 4 orë ai iu nënshtrua një operacioni, nga i cili rezultoi sipas mjekëve me sukses. Por çndodhi? Kur mendohej se gjithçka kaloi, papritur, më 9 korrik ai ndërroi jetë. E ëma e tij, Qirce Basha vazhdimish ka qenë e bindur se të birin e vdiqën oficerët e sigurimit. Djali i saj ishte prova e vetme që ata kishin qëlluar me armë zjarri dhe një dëshmi e mundshme e tij do ishe një goditje e rëndë për regjimin. Kështu sipas saj ata organizuan manipulimin me anë të ilaçeve dhe ndërprejen e oksigjenit. Në fakt dyshime kanë hedhur edhe vetë punonjësit e ambasadës. Ndërkohë që zyrtarisht ngjarja nuk u bë fare publike. Gazeta “Zeri i Popullit” i atyre ditëve shkruante: “Asnjë nëne nuk i mungon djali në shtëpi”. Në fakt Artin Basha kishte rënë dëshmor në muret e ambasadës, pa bujë. Pikërisht për atë pasaportë me numër 496152, të cilën nuk e donte më sepse përfaqësonte komunizmin. Ëndrrra e tij për të patur një pasaportë gjermane u pre në mes. Në vendin ku u qëllua meriton të paktën një bust. Ishte vetëm 17 vjeç, 2 muaj e 13 ditë. Dëshmori i parë dhe më i ri i lirisë.

1. Pasaporta orgjinale me numër 496152 e Artin Bashës, djaloshit 17-vjeçar që u qëllua me pistoletë nga policia më 2 korrik 1990 teksa kalonte murin e ambasadës gjermane dhe që më pas vdiq në spital më 9 korrik 1990.
1. Pasaporta orgjinale me numër 496152 e Artin Bashës, djaloshit 17-vjeçar që u qëllua me pistoletë nga policia më 2 korrik 1990 teksa kalonte murin e ambasadës gjermane dhe që më pas vdiq në spital më 9 korrik 1990.
2. Artin Basha pak muaj përpara se të vritej.
2. Artin Basha pak muaj përpara se të vritej.
3. Fletorja e shkollës së Artin Bashës, nxënës i vitit të tretë në shkollën Teknologjike në Tiranë.
3. Fletorja e shkollës së Artin Bashës, nxënës i vitit të tretë në shkollën Teknologjike në Tiranë.
4. Furça e dhëmbëve, stilolapsi, kompasi, mbajtësja e çelsave të Artin Bashës.
4. Furça e dhëmbëve, stilolapsi, kompasi, mbajtësja e çelsave të Artin Bashës.

5. Momente nga futja në ambasadën gjermane të personave të ndryshëm.
5. Momente nga futja në ambasadën gjermane të personave të ndryshëm.
6. Oborri i mbushur me refugjatë i ambasadës gjermane dhe në rrugë persona që shikojnë se çndodh me ata brenda.
6. Oborri i mbushur me refugjatë i ambasadës gjermane dhe në rrugë persona që shikojnë se çndodh me ata brenda.

 

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e  Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *