Paralajmërohen protesta dhe revolta, Berisha 2 fjalë për Blinken: Të kërkojë falje

Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur turin e takimeve me demokratët në Shqipëri, duke sfiduar hapur amerikanët. Përmeti dhe Tepelena ishin dje ndalesat e “Foltores 2”, ndërkohë që ish-kryeministri Berisha iu drejtua publikisht Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken që t’i kërkojë falje për etiketimin i korruptuar dhe minues i demokracisë pas shpalljes “non grata” nga DASH vitin e kaluar. Përpara demokratëve në këto dy qytete, ish-lideri historik i PD i konsideroi cenim të dinjitetit personal deklaratat e Blinken në adresë të tij. Megjithatë, Berisha bëri me dije se nuk do të kërkojë nga SHBA t’i hiqet statusi “non grata” për sa kohë Antony Blinken të jetë shefi i diplomacisë amerikane. “E kam marrë atë vendim për dy arsye: e para, do u drejtohem shqiptarëve që kanë besim se dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet. Ky njeri me këtë vendim më ka prekur dinjitetin tim pa asnjë dokument dhe asnjë provë. Së dyti, unë u drejtohem atyre shqiptarëve që besojnë se sovraniteti i vendit të tyre është i shenjtë. Në qoftë se ka diçka që noton mbi gjakun e shqiptarëve është pikërisht sovraniteti. Nuk do kërkoj kurrë sa të jetë në pushtet Blinken që të ndryshojë vendimin e tij. Më ka cenuar dinjitetin, pranoj vetëm të falur publikisht, asgjë tjetër”, deklaroi fillimisht Berisha.

Ish-kreu i PD bën thirrje për protesta antiqeveritare

Në vazhdim të fjalës së tij, ish-kreu i demokratëve pranoi se nuk do ta përjashtojë Lulzim Bashën nga PD pasi dha dorëheqjen si kryetar i partisë. Më tej, ai bëri sërish thirrje për protesta kundër qeverisë socialiste. “Ne s’kemi të përjashtuar. Do ta takoja në atë zyrë edhe Lul Bashën. Është deputet i PD. Nuk përjashtojmë ne, por jam i detyruar të mbroj interesat tuaja. Duhet të përshtatem me mendimet tuaja. Prandaj, të bashkohemi e të mbushim rrugët e sheshet kundër këtij regjimi që duhet t’i ketë ditët të numëruara”, tha ish-kryeministri.
Ish-kryeministri: PD me mua mund të rikthehet në pushtet

Berisha u shpreh se beson se PD me të në krye do të rikthehet në pushtet. Ai kujtoi vitin 1998 kur drejtonte opozitën dhe faktori ndërkombëtar ishte kundër tij për shkak të tentativës për grusht shteti në 14 shtator 1998. Ish-lideri historik i PD shtoi se historia e rikthimit në pushtet të partisë, që ka drejtuar për 22 vite, mund të përsëritet si në vitin 2005. Për sa i përket të ardhmes nëse PD me të në krye humbet zgjedhjet lokale të 2023, Berisha premtoi se do të kërkojë të votëbesohet sërish si kryetar i saj. Për rastin e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2025, ai deklaroi se do të dorëhiqet pa kushte nga lidershipi demokrat. “Berisha u godit vetëm që PD të bëhet shtojcë e PS-së, po ne nuk bëhemi. A fiton PD me Berishën në krye? Unë them fiton. Në ‘98, më vjen keq që po ta them, po kam pasur botën kundër dhe kemi fituar. Fitova se besova te e drejta, s’kam asnjë fuqi të veçantë. Po fitova, le ta zëmë humbas në zgjedhjet lokale: do votohem te ju. Te të përgjithshmet, po u largova, kushdo të jetë do japë dorëheqjen”, përfundoi fjalën e tij Sali Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *