Ndoka, Topalli e Patozi, të zhgënjyerit e 25 prillit. Si braktisën partitë e tyre pas humbjes së thellë

Jozefina Topalli, Nard Ndoka dhe Astrit Patozi duket se nuk e kanë kapërdirë lehtë humbjen në zgjedhjet e 25 prillit. Pasi morën goditjen e fortë duke mos marrë mandatin në Kuvend, ata janë tërhequr nga drejtimi i partisë. Përfundimi i dalë nga rezultati i votimeve është mbyllur me 74 mandate për PS, 59 për PD, 4 për LSI, si dhe 3 mandate për PSD.

Jozefina Topalli ishte e para që mori vendimin për të lënë partinë. Ajo braktisi partinë “Lëvizja për Ndryshim” me të cilën garoi në zgjedhjet e 25 prillit, por nuk mori asnjë mandat. Në një status në rrjetet sociale, Topalli njoftonte se kishte vendosur që të largohej nga drejtimi i partisë, duke e lënë pjesën tjetër të strukturave që të vazhdojnë rrugën e tyre. Partia “Lëvizja për Ndryshim” ka marrë 7049 vota në zgjedhje. Vetë Topalli kandidoi në 4 qarke, në Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në Durrës Topalli ka marrë 50 vota, në Lezhë 58 vota, në Shkodër 598 vota dhe në Tiranë 390 vota.

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka nuk ka mundur të marrë asnjë mandat në Shkodër, madje dështoi edhe me votat e mbledhura, duke marr vetëm 228 vota në emrin e tij. Për dështimin e  tij, Ndoka shigjeton kryedemokratin Basha.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi tre ditë më parë se do të heq dorë nga drejtimi i partisë. I ftuar në “Top Talk” në Top Channel, Ndoka ka thënë se në shtator do të mblidhet kryesia e PDK-së, dhe do të zgjedhin kryetarin e ri. “Unë e konsideroj mision të mbyllur, pasi i besova verbërisht Bashës. Edhe nëse opozita do të ishte fituese, prapë do ta bëja. Në shtator-tetor do mblidhet Kongresi, dhe do të zgjidhet kryetari i ri”, u shpreh ai.

Sa i takon koalicionit me PD-në në zgjedhjet e 25 prillit, Ndoka u shpreh se i besoi Bashës, dhe se kjo është e pafalshme. “I besova të ardhmen e PDK-së Bashës, dhe kjo është e pafalshme për mua. Faji është imi, sepse i besova verbërisht Lulzim Bashës”, përfundoi Ndoka.

E ndërsa lëvizja e radhës ka ardhur nga Astrit Patozi. Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka marrë përsipër rezultatin zhgënjyes nga zgjedhjet e 25 prillit, dhe ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Patozi sqaron se ka vendosur të marrë të gjitha përgjegjësitë, për mos arritjen e objektivave elektorale. Për të, largimi nga drejtimi i partisë është një akt moral përgjegjësie dhe jo një dorëzim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *