Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 6 vatra aktive zjarri nga veriu në jug! Në Vlorë ‘lufta’ për Karaburunin

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një pasqyrim të situatës së zjarreve në vend,  ku gjithsej janë aktive 6 vatra zjarri të shpërndarë nga jugu në veri.

Gjatë natës një vatër e re është aktivizuar në lagjen Tepe të bashkisë së Shkodrës dhe po në të njëjtën kohë, një tjetër vatër është shfaqur në fshatin Cerunjë në Elbasan. Po ashtu, një vatër e re është shfaqur edhe në fshatin Gadurovë të Fierit ku është përfshirë nga flakët një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullishte.

Gjatë natës mësohet se në qarkun Vlorë, në terren kanë qenë të angazhuar 319 forca të FA, 31 mjete, 4 autoambulanca, 21 punonjës të zjarrfikëses dhe njësisë së pushtetit vendit, si edhe 3 helikopterë. Kjo pasi situata më e rëndë, për më shumë se 2 javë tashmë është shënuar në Vlorë, ku “plaga” më e madhe është shënuar në gadishullin e Karaburnit, ndërsa qendron frika se zjarri mund të shkojë edhe në parkun e Llogarasë.

Ndërkohë, prani të zjarrit ka dhe në qarkun e Gjirokastrës,  Dibrës dhe Fier.

SITUTA SIPAS QARQEVE

Aktualisht në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive; 2 janë shuar tërësisht, ndërsa 1 vatër është izoluar.

Zjarri në gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.

Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.

Vijon zjarri edhe në Fushë – Arrëz. Në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.

Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar.

Në fshatrat e njësisë administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.

Në fshatrat e njësisë administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me të gjitha forcat operacionale.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë – Selishtë, bashkia Mallakastër. Sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku.

Është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.

/Burimi: Ministria e Mbrojtjes/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *