“Më pështyu në surrat gjakun tim”, ish-i dënuari politik: Ja si më torturoi Mehdi Bushati

Dekorimi nga Presidenti Meta, i Mehdi Bushatit, i cili është i ati i analistit Andi Bushati, me Dekoratën e Lartë “Kalorës i Flamurit” ka ngjallur shumë reagime ditët e fundit mes ish- të përndjekurve politikë, që e cilësojnë Bushatin, si një prej hetuesve me të dhunshëm të regjimit komunist. Një prej ish-të burgosurve politikë, Demir Pojani, pjesëmarrës në revoltën e Spaçit në maj të vitit 1973 e ka njohur nga afër Bushatin dhe është përballur me torturat e tij.

“Hetues nga gjithë Republika, njerëzit e sigurimit më të këqij që kishte regjimi i kishin pru aty për të na pritur ne të revoltës. Ne ishim rreth 90 vetë, të lidhur të vramë, të poshtëruar, pa ujë, nuk di si kemi shkuar gjallë”, shprehet ai për Report Tv.

Përballjen me hetuesin Mehdi Bushati Demir Pojani e kujton me detaje.

“Kur më morën mua, shoh një burrë të shkurtër me kostum, me këmbë të shtremba, që më turret mua. Unë jam marr me sport dhe llogaris inercinë e vrapit të atij dhe u jap këmbëve dhe i hyra brenda rrezes. Ai u përplas në kraharorin tim… si u përplas tek unë, u rrëzua, dhe kur ngrihet me ca të qara të ndyra, vjen nga mbrapa dhe më kafshon duart. Atij i plasën gishtat gjak në gojë dhe më pështyu në surrat gjakun tim…

“Na mbështeten për muri dhe aty më binte pa pushim… “, tha ai më tej.

Demir Pojani është dënuar në diktaturë për agjitacion e propagandë dhe pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit dhe ka vuajtur 21 vite burgim. Ndërkohë, mbesa e tij, moderatorja Megi Pojani ka nisur një peticion online për anullimin e dekoratës “Kalorës i urdhërit të Flamurit” për Mehdi Bushatin. Aktualisht, peticioni është firmosur nga 9,978 persona.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *