Masakër mjedisore me plehrat në Golem/ Turistët e huaj: Kemi ardhur për pushime jo për mbeturina

Situata e mbetjeve urbane në zonën bregdetare të Golemit që frekuentohet masivisht në këtë sezon nga turistë vendas e të huaj mbetet ende kritike.

Turistët shprehen të pakënaqur për të pushuarit në këto kushte. Mbetjet i ndesh ngado, madje dhe mes pishave në rrugën që të çon buzë detit.

”Gjithë viruset këtu vijnë. Kanalizime të ujërave të zeza s’ka. Të gjitha janë me gropa. Kemi ardh për pushime dhe me e mbajt mendjen te plehrat.” 

”Na shqetëson, po bashkia e ka në dorë.”

”Shumë i papërshtatshëm fakti që kalojmë para plehrave me fëmijët. Pastaj rrugët. Nuk dimë nëse është ujë i bardhë apo i zi.”

Ditët e fundit, pasqyrimi i kësaj problematike të mprehtë në pikun e sezonit i ka vënë disi në lëvizje autoritetet vendore.

”Është pak më mirë situata. Para një jave vinin një herë në 5 ditë dhe këto ditët e fundit po vijnë çdo 2-3 ditë dhe dezinfektojnë , por mbetet shumë problem. Një aromë e keqe që shpërndahet ngado.”

”Normalisht duhet të hiqen 3 herë në ditë me gjithë këtë fluks pushuesish që ka gjendja është alarmante.”

Gjithsesi situata vazhdon të mbetet shqetësuese, jo vetëm për pushuesit, po edhe bizneset në këtë zonë.

”A nuk na shqetëson të gjithëve? A duam turizëm, a çfarë duam?! Shumë keq skandaloze. Nuk e di pse e lenë kështu. Ja e kam të mbyllur biznesin nga kjo gjendje.”

Në shqetësim janë kthyer dhe mbledhësit e shisheve plastike dhe kanaçeve, ndaj kjo pushuese propozon kazanë të diferencuar për të shmangur përhapjen e mëtejshme të vatrave të ndotjes.

/Burimi: TCh/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *