Marrëveshja e Ohrit/ Vuçiç: Nuk do ta zbatojmë atë pjesë që lidhet me…

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë” – deklaroi Vuçiq më 21 mars pasi u takua në Beograd me kryediplomatin e Italisë, Antonio Tajani.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.

Marrëveshja drejt normalizimit nuk përmend në mënyrë eksplicite njohjen e ndërsjellë, por aty thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës./ REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *