Kishin grumbulluar rreth 900 kg kanabis, jepen sot masat e sigurisë për 11 personat e arrestuar në Berat

Sot jepet masa e sigurisë për 11 personat e arrestuar disa ditë më parë në Berat pasi punonin në një serë për kultivimin e kanabisit.

Të arrestuarit kanë mbërritur në Gjykatën e Beratit, ku do të njihen edhe me masën e sigurisë.

Të arrestuarit janë Hamdi Dyli, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Blerim Xheka, Bashkim Mema, Edison Mema, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha, Samoel Lushaj, Drita Mema dhe Izmire Mema.

Më 10 nëntor në Kutalli të Beratit policia zbuloi një fermë kanabisi, ku thahej lënda narkotike.

Autoritetet zbuluan një sasi prej rreth 875 kg kanabis të tharë, ndërsa u ndaluan rreth 105 persona.

Operacioni u organizua nga Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Bazuar në informacionet e grumbulluara, në orët e para të mëngjesit të datës 10.11.2022, nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua operacioni policor i koduar “Stuhia”.

Nga finalizimi i këtij operacioni, në territorin e fshatit Rërëz, u lokalizuan serat për të cilat Policia e Shtetit dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike. Bëhet fjalë për sera rreth 8 dynym, të ndara në katër sipërfaqe, secila me rol të përcaktuar.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis në proces përpunimi si dhe 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike.

Kush është familja nga Nikla në krye të aktivitetit kriminal

Roli më i rëndësishëm në organizimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë ishte i një familjeje nga fshati Nikël i Krujës, zonë nga e cila ishin punësuar edhe një pjesë e madhe e grave dhe e njohur gjithashtu për kultivimin e kanabisit ndër vite.

Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, vajzën dhe dhëndrin e tyre. Kjo familje dyshohet të jetë organizatorja dhe mbikëqyrësja e të gjithë aktivitetit kriminal të prodhimit dhe tregtimit të lëndës narkotike.

Gjithashtu, ata akuzohen se kanë lidhje me “kokat” e aktivitetit kriminal që dyshohet se janë dy shtetas po ashtu nga Nikla, tashmë të identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen ende publikë për shkak të hetimit, deri në arrestimin e tyre. Midis 11 të arrestuarve janë edhe nënë e bijë, Drita dhe Izmira Mema krahas bashkëshortëve të tyre. Ato kontraktonin gratë nga zonat e Fushë-Krujës, duke iu thënë se do të vilnin ullinj dhe më pas duke përdorur edhe kërcënime i përfshinin në procesin e përpunimit të bimëve.

Mes të arrestuarve është edhe pronari i serës, Hamdi Dyli (i njohur në fshat si Xhimi Dyli). Ai ka dëshmuar para uniformave blu se serën e kishte lënë me qira dhe nuk ishte në dijeni të aktivitetit që kryhej brenda saj, por u arrestua nga policia brenda ambienteve të serës. Ndërkohë, në pyetje janë marrë 106 të shoqëruar që u kapën nga policia brenda dhe jashtë serave të kanabisit. Për përpunimin e bimës, ishin punësuar rreth 95 gra nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga zonat periferike të Tiranës dhe FushëKrujës.

Ato mësohet të kenë deklaruar se ishin kontaktuar për të vjelë ullinj dhe se paguheshin rreth 50 mijë lekë të vjetra në ditë.

“Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.

Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi policia.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *