Ka makinë 300 mije euro? Kryebashkiaku Veliaj përgënjeshtron statusin e investigativit Tan Hoxha  

Ja bën “Muuuu!” që makina në foto e tipit ‘Mercedes Benz Maybach’, (rastësisht përpara bashkisë së Tiranës), i ka targat “AB 007 EY” dhe jo siç pretendohet “AB 007 EV”.

Por gjithsesi, ajo u “shit” disa ditë më përpara në rrjetet sociale, sikur ishte “autovetura e re” luksoze e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Ka blerë super Benz fringo të ri”,- ishte pretendimi i ngritur nga gazetari investigativ, Artan Hoxha, duke aluduar se kjo autoveturë luksoze mund t’i përkiste Erion Veliajt.

Por ky i fundit ka reaguar sot pas fotos së Artan Hoxhës, duke thënë se: “Unë s’jam rraqexhi makinash, duan të më vënë gjobë…”!

Në këtë mënyrë, kryebashkiaku Erion Veliaj, iu përgjigj sot disa portaleve, në të cilat ka qarkulluar lajmi (referuar statusit të shpërndarë nga Artan Hoxha), se ai përdor një makinë të kushtueshme të markës “Maybach” dhe e parkon para godinës së bashkisë.

Lajmi në fjalë është hedhur në rrjetet sociale nga gazetari Artan Hoxha, e më pas u publikua në disa portale.

Veliaj shprehet se, lajmi është i pavërtetë dhe se është publikuar nga portale gjobëvënëse.

I pranishëm në një aktivitet të Bashkisë së Tiranës, ku u dhuruan çelësat e banesave të reja të ndërtuara pas tërmetit të vitit 2019, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se, është koha të zgjedhim nëse do vazhdojmë përpara me punë, apo do merremi me shpifje dhe vendosje gjobash.

“Po u more me gjobat që vendosin portalet dhe televizionet, nuk bën dot asnjë punë. Njëri thoshte se, lali ka blerë makinë 500 mijë euro. E para e punës, kush më njeh e di se unë nuk jam rraqexhi makinash.

Më thanë dil e sqaroje, po kë të sqaroj? Edhe ai që e ka shkruar këtë rrenën e di që nuk është e vërtetë. Por, po t’i shkosh atij të portalit, ai thotë: Më jep një shtëpi, më fal një makinë.

Po nëse merresh me këta, ata këtë punë kanë sepse kanë hapur nja dy-tre portale dhe thonë: Më sill lekët që mos të të biem.

Më mirë bëjmë shtëpitë e njerëzve se sa t’i përgjigjemi gjobave të këtyre. Po u fokusuam në punë, ajo flet vetë.

Dy mundësi kemi: Ose të merremi me logje, t’i vëmë gjoba njëri-tjetrit, ose merremi me punë, që të ngelet një vepër konkrete, një ndërtesë, një shtëpi, një pallat, një kopësht, një shkollë, një çerdhe, një park”,- tha Veliaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *