Ish-Agjenti Special i FBI-së vjen në Shqipëri/ Këshilltari i ri i BKH takohet me Yuri Kim

Ka mbërritur në Shqipëri ish-Agjenti Special Mbikëqyrës i FBI-së, i cili do të jetë këshilltari i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Steve Butler u prit nga Ambasadorja Amerikane, Yuri Kim, ndërsa lajmi u bë me dije nga Ambasada e SHBA nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ambasada e SHBA theksoi edhe një herë se Amerika do të vazhdojë të mbështesë punën e SPAK për hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri ish Agjentin Special Mbikëqyrës të FBI-së dhe këshilltarin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Steve Butler. Ambasadorja Kim u takua me Steve për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të biseduar mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme për punën themelore të SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet trajnimeve, ndërtimit të kapaciteteve, pajisjeve dhe ekspertizës këshilluese”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA.

28 hetues të BKH nisën zyrtarisht punën më 9 gusht, pas përfundimit të trajnimit. Ata zhvilluan në Romë trajnimin intensiv dhe të specializuar nga DIA italiane (Drejtoria e Antimafias) për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndërkohë vijon ende plotësimi i këtij institucioni me hetues, pasi në total duhet të jenë 60.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *