Fatos Tushe nuk heq dorë! Kërkon sërish lirinë: Jam me diabet, kolesterol të lartë, vuaj nga zemra…

Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u arrestua më datë 6 korrik nga policia në kuadër të një operacioni kundër korrupsionit të iniciuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK), për shpërdorim detyre në lidhje me një tender abuziv me vlerë 24 mln lekë për rehabilitimin e kanalit ujitës.

Ish kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet, ndërsa ka dalë sot para Apelit të GJKKO, duke kërkuar sërish ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg’, me pretendimin se është i sëmurë.

Kjo kërkesë iu rrëzua nga GJKKO një javë më parë, ndërsa Tushe pretendon se është alergjik ndaj ushqimeve dhe se sipas mjekut nuk duhet të qëndrojë në ambiente të mbyllura. Po ashtu, në kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë Tushe thotë se vuan nga zemra, diabeti, gurët në tëmth dhe se ka kolesterolin e lartë.

Kujtojmë se Fatos Tushe akuzohet për korrupsion në një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në rrethinat e Lushnjes. Mësohet se hetimet për këtë aferë kanë nisur në 2020, mbi bazën e një referimi të ardhur nga policia gjyqësore, ku dhe ka rezultuar se më 31 gusht 2020 është hapur dhe fondi për rehabilitimin e kanalit ujitës me fond limit 23 251340 lekë pa tvsh. Në garë kanë qenë disa kompani, por sipas SPAK ka rezultuar se në shpërdorim të hapur të detyrës, kryebashkiaku Tushe dhe vartësit e tij, ia kanë dhënë këtë tender kompanisë “Euroalb” shpk, ndonëse ka pasur ofertën më të lartë dhe duke shkelur barazinë për operatorët e tjerë . Kanë qenë operatorët e tjerë të skualifikuar nga ky tender, të cilët kanë bërë ankesë, dhe më pas është zbuluar rasti i  shpërdorimit të detyrës.

Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.

Tushe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *