EMRI/ Ulsi Manja prezanton drejtorin e ri të Shërbimit të Provës: Hallkë e rëndësishme e gjithë sistemit të drejtësisë

Drejtori i ri i Shërbimit të Provës do të jetë Ervin Hoxha. Kreu i ri i këtij dikasteri është prezantuar sot nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, thotë se “Shërbimi i Provës është një hallkë e rëndësishme e gjithë sistemit të drejtësisë që shërben në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar nga gjykata”.

“Nuk do të lejoj, dhe e bëra të qartë si kristali sot, që specialistët e këtij shërbimi ta përdorin mandatin e shtetit për qëllime të errëta kafeneve e restoranteve të Shqipërisë duke thyer besimin e qytetarëve dhe të shtetit.

Kam besim se drejtori i ri, Ervin Hoxha, që sapo u prezantua, ndan të njëjtat qëndrime, synime dhe vizion me mua. Ne jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Nëse ndokush mendon ndryshe, duhet të shkëputet vetë, ose do ta shkëpusim ne. Ligji, e drejta dhe qytetarët janë të parët”, shkruan ministri Manja.

Më pas, duke iu referuar problematikave të ngritura herë pas here në media, ai u ka kërkuar që të mos bëhen pjesë e makinacioneve në kurriz të së drejtës dhe ligjit.

“Ju si shërbim nuk jeni të pavarur. Nuk jeni as një ishull me qeveri autonome, por jeni një shërbim që duhet t’ju udhëheqë ligji dhe vetëm ligji! Mbikëqyrja e dënimeve alternative duhet të jetë në funksion të qëllimeve që ka dënimi penal sipas ligjit dhe jo orekseve të individëve brenda shërbimit të provës dhe që s’ka lidhje me zbatimin e ligjit”, është shprehur ministri Manja, duke paralajmëruar se ai po punon që ky shërbim të jetë pjesë edhe e mbikëqyrjes së kontrollit të brendshëm, njësoj si burgjet.

Manja i është drejtuar trupës se do të jenë ata që do të dalin në mbrojtje të veprimeve të tyre përpara opinionit publik dhe medias. “Ne jemi këtu për të bërë detyrën kundrejt ligjit dhe qytetarëve. Kaq. Ju keni aplikuar për të qenë pjesë e sistemit. Tani jeni pjesë e sistemit. Ky sistem është në shërbim të qytetarëve. Nëse ndonjë e mendon ndryshe, dua t’ju them se nuk ka asnjë të paprekshëm”, ka thënë mes të tjerash z.Manja.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *