Një i ri me probleme të shëndetit mendor ka tentuar të grabisë një pikë të këmbimit valutor në rrugën “Demokracia” në Kamëz. Shtetasi me iniciale I.M., i ka kërkuar punonjëses t’ia mbushë qesen që ai mbante në dorë plot me para.
Sakaq, punonjësia është shprehur e tronditur, duke rrëfyer kshtu detaje rreth ngjarjes.
“Për momentin kam shtangur dhe më pas kam bërtitur me zë të lartë”, shton punonjësja me iniciale S. Sh., në policinë e Kamzës. Në ndihmë i ka ardhur punonjësi i farmacie aty ngjitur.
“Ai pa u trembur fare i tha këtij grabitësit që mbante një thikë në dorë, “dil jashtë se erdhi policia” dhe siç duket ky person u tremb dhe ka dalë nga Exchange dhe kur aty kanë mbërritur edhe qytetarë të tjerë që dëgjuan ulërimat e mia, atëherë u kujtova të zbatoj protokollin dhe të shtyp butonin e kuq”, tregon ajo.
Duke iu referuar dëshmisë së dy punonjësve por më kryesores, asaj që u përball me hajdutin, policia ka bërë menjëherë përshkrimin e të riut: I dobët, veshur me të zeza dhe pa doreza e po ashtu pa kapuç apo sende që do ta bënin atë të pa identifikueshëm në fytyrë. Duke i pyetur të gjithë përfshi edhe pronarin e pikës valutore që ka mbërritur me shpejtësi, policia e Kamzës ka zbuluar shpejt identitetin e hajdutit të armatosur me armë të ftohtë dhe ka nxituar të shkojë në banesën e tij. Aty policia përmend se ka gjetur të ëmën, të cilën e ka pyetur mbi vendndodhjen e të birit.
“Djali – ka thënë gruaja – ka qëndruar për 13 vite në Belgjikë dhe pas kthimit nuk u largua më. Gjatë kësaj kohe ka vuajtur nga depresioni dhe mërzia dhe ne e dërguam në një spital privat për vizita mjekësore. Ata na rekomanduan se duhet ta dërgonim në spitalin psikiatrik në Tiranë. Për këtë arsye im bir kurohet nga një mjek psikiatër. Sot im bir do të dilte nga shtëpia dhe më kërkoi lekë për kafe si përherë. I dhashë 100 lekë. Pastaj erdhi në shtëpi kur kishte mbaruar kafen dhe më kërkoi lekë të tjera se do të ikte të luante futboll me shokët. Nuk i dhashë më. Atëherë e pashë që iku i mërzitur dhe i nevrikosur dhe përplasi derën e shtëpisë. Nuk e di për ku është larguar”, ka rrëfyer e ëma për policinë.
Por sipas burimeve të Gazetës “Si”, më pas, ka qenë pikërisht e ëma që ka njoftuar policinë menjëherë sapo i biri është kthyer në shtëpi.
“Kam njoftuar policinë të cilët erdhën dhe e morën për në komisariat. Djali im është i sëmurë dhe sëmundja e tij është e tillë që nëse nuk i plotëson dëshirën, kalon në gjendje depresioni duke shqetësuar gjithë familjen”, ka treguar gruaja.
Ajo ka rrëfyer se i biri ka përdorur drogë dhe njëherazi është përdorues alkooli, për aq kohë sa i mbarojnë paratë që i jep familja.
“Si nënë, bëj maksimumin ta qetësoj dhe i jap sa herë paratë e pensionit tim. Më vjen keq që djali im e ka bërë këtë gjë”, ka mbyllur dëshminë gruaja.